Përkëdhelja ndaj Serbisë është një absurditet ndërkombëtar që shumë shtete e kanë kuptuar dhe po kthjellohen duke mbajtur qëndrim! Natyrisht që Serbia tashmë është një shtet sovran në Ballkan, nuk është aspak logjike t’i thuash: mbathjani nga keni ardhur! Por që Serbia politike duhet të mbaj përgjegjësinë e saj për gjakun që derdhi në këto troje, është një fakt aksiomatik!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Këto fjalë të cilat kur kanë tentuar të rrinë miqësisht bashkë kanë dështuar në forma epike, duke shkruar faqe të rënda plot gjak e lot shqiptarë, e me triumfe kriminale serbe (nuk e di se sa fjala Triumf mund të rri me atë Kriminale), por gjithsesi ajo që dua të them është për fat tragjik të shqiptarëve dhe për fat të keq edhe të vet serbëve (të damkosur me vulën Pushtues e Vrasës, e të vërtetuar me varret e shqiptarëve e të kombeve të tjera), nuk kanë rezultuar asnjëherë si një binom i harmonizuar!
Serbët kanë qenë agresivë e të padrejtë ndaj disa popujve dhe shqiptarëve në veçanti. Por le të bëhemi më bashkëkohorë e të lokalizojmë bisedën, le të themi se çmenduria e periudhës së Milosheviçit nuk është diagnozë e Sashës që jeton në Beograd apo e Draganës që jeton në Nish. Le të themi që këta njerëz janë serbë njësoj por ndryshe fare nga trutë e sëmurë të të gjithë bashkëkombësve të tyre, që vranë deri foshnja në djep e foshnja në bark të nënës, natyrisht me gjithë nënën. Pra le të bëhemi burra më të urtë se pleqtë e legjendave dhe të mos përgjithësojmë të gjithë serbët si armiq, se fundja si thuhet klasikisht në këto raste- nuk ka popuj të mirë apo të këqij, por ka njerëz të mirë apo të këqij. Me këtë gjykim korrekt kuptojmë se sidomos populli serb ka qenë prè e qeverisë së tij, pavarsisht që disa tërmete të fuqishme të përmbysin këtë logjikë kur kujtohesh për parimin politik të Kissinger-it që thotë: çdo popull meriton qeverinë që ka. Zoti i madh natyrisht që i do fëmijët serbë e i ka të barabartë me fëmijët shqiptarë, amerikan apo kinez.
Një gjë tjetër befasuese nga Tirana zyrtare, një si të thuash: krushqi hasmish! Serbia që nuk shërohet nga obsesioni kriminalo-patologjik që ka mbi Kosovën (shtet shqiptar që rroftë e qoftë sa jeta), shfaqet krah për krah një shteti tjetër që banohet jetë e mot nga shqiptarë si është Shqipëria! Kur një i çmendur nga një familje të vret vëllain, ti pret që vëllai të izolohet dhe t’i kalojë trajtimit të përjetshëm në spital, por nga familja pret falje absolute! Ama ja që Serbia jo vetëm që falje nuk kërkon, por sillet sikur t’i ketë ndonjë borxh bota!
Përkëdhelja ndaj Serbisë është një absurditet ndërkombëtar që shumë shtete e kanë kuptuar dhe po kthjellohen duke mbajtur qëndrim! Natyrisht që Serbia tashmë është një shtet sovran në Ballkan, nuk është aspak logjike t’i thuash: mbathjani nga keni ardhur! Por që Serbia politike duhet të mbaj përgjegjësinë e saj për gjakun që derdhi në këto troje, është një fakt aksiomatik! Serbia ka nevojë për të reflektuar (gjithnjë qeveria serbe pasi populli serb nuk ka lidhje me fashizmin serb), mirëpo ja ku vjen flirti nga Tirana! E padëgjuar, gati në kufijtë e një zhgjëndrre pas një makthi ngufatës shekullor, duket se një shtet shqiptar po vendos me të bëj aleancë me serbët kur këta të fundit ende nuk e pranojnë Kosovën shtet dhe betohem mbi kujtimin e gjyshërve të tyre që sa të jenë gjallë Kosova kurrë nuk do mund të jetë shtet! Gjëja e parë që të vjen në mend kur shikon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke shtrënguar duar serbe, të vjen t’i thuash: kujdes Edi, kujdes be vëlla, nuk ka kërkuar ende falje për fëmijët e vrarë ai njeri që po rrokesh si me e pas djalë daje! Kjo ka nisur si një revansh ndaj kinse refuzimit evropian, nga në politika “Çiftelia dhe Ferrari” ose “Pleskavica dhe Llamburxhni” apo “Gjevreku dhe Armani”, sepse oligarkitë ballkanike kryesisht vërtiten midis këtyre realiteteve. Duke qenë se BE-ja ju tha prapë “nc” për hapjen e negociatave, duke qenë se nisi një gurgule e gjurulldi të hatërmbeturish, të penduarish, e thashethemexhinjsh politikë (janë këta që me një të rënë të lapsit të lejnë pa punë), pra duke qenë se për herë të parë dy shtete ballkanike u bënë peng i Mosmarrveshjeve Europiane, atëherë ndodhi Çudia!
Vendosën të bëjnë një Shengen Ballkanik! Dmth, si në atë botë që i mblodhën shtetet evropiane në qytetin me emrin Shengen të Luksemburgut dhe firmosën traktatin e lëvizjes së lirë brenda 26 shteteve evropiane, kështu deri tani një shqiptar, një maqedonas dhe një serb, janë takuar andej-këtej nëpër Ballkan që të bëjnë Traktatin e Zonës Shëngjin, Gjevgjeli apo Novi Sad, se nëse kopjojnë fije për pe, evropianët do duhet t’a emërojnë marrëveshjen sipas ndonjë qyteti! Nëse vazhdoj me logjikën e prologut, shqiptarët dhe serbët kanë hesape të papastuara morale, ligjore dhe ekonomike! A është organik ky Shengen kur pjesë e iniciativës është një shtet që ka ende të nxehta pushkët që ka shkreh ndaj popujve të tjerë?!
Kjo është një lëvizje e ushqyer nga zemërimi, sepse Rama dhe Zaevi u përpoqën dhe u refuzuan, por këta duken si dy qengja që përqafohen me ujkun… Le të udhëhiqemi nga emocione benjine e organike, le të presim të rehabilitohen shtete të sëmura, le të bashkëpunojnë shtete që as janë vrarë dhe as janë prerë, e t’i lëmë të mbajnë qëndrim përjashtues ndaj fajtorëve që nuk dinë të pendohen, pasi ka rrezik të madh që mund të përsërisin çmenduritë e tyre të freskëta!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)