Ardian Cuculi pritet të jetë largimi i radhës nga skuadra e Kukësit, duke qenë se mbrojtësi nga Tetova është në bisedime me të tjera skuadra. Kur gjithçka dukej e mbyllur dhe pritej vetëm zyrtarizimi i tij për kalimin te Prishtina, marrëveshja nuk është arritur dhe gjithçka ka marrë një rrugë tjetër.
Gazeta “Sheshi”, përcjellë gazeta KOHA, raporton se Cuculi nuk do të jetë i Prishtinës por me shumë gjasa, do të transferohet te skuadra e Dritës. Ekipi gjilanas që këtë merkato ka qenë mjaft aktiv, ka nisur bisedimet dhe synon që të përforcohet me një mbrojtës mjaft cilësor, i cili mund të ndihmojë skuadrën në rrugën drejt titullit kampion.
Sakaq, klubi i Dritës është i gatshëm të plotësojë kërkesat financiare të Cuculit, duke e kthyer në mbrojtësin më të paguar në Kosovë. Ish-skuadra e Shpëtim Duros, synon që të rikthehet te titulli kampion pasi sezonin e fundit ia rrëmbeu Feronikeli.