Largimet nga Kukësi nuk dinë të ndalen dhe tashmë është radha e një tjetër mbrojtësi për t’i dhënë lamtumirën verilindorëve. Vetëm pak ditë pasi u largua Shameti, edhe Ardian Cuculi ka vendosur të largohet përfundimisht nga nënkampionët e Shqipërisë.
Vetë mbrojtësi nga Tetova e ka konfirmuar diçka të tillë duke falënderuar klubin verilindor, e njëkohësisht duke shtuar se ishte kënaqësi për të vishte fanellën e Kukësit. “Faleminderit Kukësi, ishte kënaqësi të vishja fanellën tuaj”, shkruan mbrojtësi nga Tetova.
Me shumë gjasa, Cuculi do të largohet në drejtim të kampionatit të Kosovës, aty ku Drita e pret krahëhapur. Pak ditë më parë, ishte Prishtina shumë pranë Cuculit, por nuk u gjet gjuha e përbashkët. Kujtojmë që në të kaluarën, Cuculi ka luajtur dhe me fanellën e Partizanit në Kategorinë Superiore para se të largohej për te Shkëndija.