Crespo: Dua ta shoh Messin kampion bote, futbolli i detyrohet

15

Hernán Crespo, ish-sulmuesi i njohur argjentinas, i cili shkëlqeu kryesisht në Serinë A me ekipe të tilla si Parma, Lazio, Interi e Milani, në një intervistë për gazetën “Ole” dha opinionin e tij edhe për Lionel Messin. Aktualisht trajner i Defensas në elitën e futbollit argjentinas, Crespo tha se do të dëshironte shumë që “ylli” i Barcelonës të fitonte Kupën e Botës me kombëtaren.

“Është shumë e vështirë të jesh Messi, askush nuk mund ta vendosë veten në vendin e tij, të zësh vendin e Maradonës. Do të doja shumë ta shihja kampion bote me Argjentinën. Leo është një djalë që ka qenë në një nivel shumë të lartë për shumë vite, merr shkelma, ngrihet dhe përballet me vështirësitë, duke punuar fort.”

Crespo thekson se Messi nuk është thjesht një lojtar i madh, “Pleshti” mbetet shembulli i një profesionisti të jashtëzakonshëm, përtej futbollit.

“Ajo që ai bën shkon shumë më larg sesa si një lojtar apo sportist, ai është shembull i një profesionisti, me seriozitet, ndershmëri, gjithmonë i saktë. Messi tejkaloi pritshmëritë në të gjithë botën dhe unë mendoj se ai është shumë më tepër sesa një lojtar i shkëlqyer i futbollit. Kupa e Botës për të është një trofe më shumë, nuk e ndryshon mendimin që kanë njerëzit. Në fakt, nëse mendoni për këtë, në një farë mënyre, futbolli i detyrohet Messit”.

Comments are closed.