Kylian Mbappé ka folur sërish për të ardhmen e tij. Në një “parathënie” të intervistës, që do të transmetohet në programin “Ahora o Nunca” të ESPN Meksikë, sulmuesi i PSG e ka lënë të hapur derën për të luajtur në të ardhmen në MLS: “Unë nuk e di se çfarë mund të ndodhë në futboll, sa i takon të ardhmes. Në Amerikë kanë luajtur e po luajnë futbollistë të mëdhenj, pas karrierës së tyre në Europë, si Lampard, Gerrard, Zlatan Ibrahimovic, Pirlo”.
Francezi ka kaluar pesë ditë pushime në SHBA, në të cilat ka promovuar edhe markën që e sponsorizon. Lojtari i PSG, gjithashtu, pa nga afër një ndeshje finale të NBA, mes Golden State Warriors dhe Toronto Raptors. E ardhmja e Mbappé do të mbetet e lidhur me PSG, të paktën edhe sezonin e ardhshëm.
Ylli 20-vjeçar tha në një ceremoni çmimesh se po mendonte “për një projekt tjetër”. Megjithatë, PSG reagoi shpejt, duke konfirmuar vazhdimësinë e Mbappé në “Parce des Princes”. Dje, presidenti Al Khelaifi e ka “çertifikuar” Mbappé, duke thënë se do të qëndrojë te PSG me 200%.