Ç’po ndodh në Shqipëri?

Djegia e mandateve, hapi i fundit paqësor!? Kjo tezë e hedhur nga goja e opozitarëve tashmë ka nisur të trashet si qëllim dhe rrugë e paevitueshme. Rama dhe ndërkombëtarët e akuzojnë këtë synim, por a nuk ka të vërtetë siç tha një analist, se “ata ende nuk e kanë kuptuar çka ka ndodhur”?

 

Nga Daut DAUTI

Në vitin 1997 i hipa aeroplanit të pare që fluturoi nga Rinasi në atë anarki tragjike për Shqipërinë dhe në aeroportin e Sofjes ku zbrita(nuk kishte fluturim për Shkup), ne udhëtarëve na pritën plot kamera për të na pyetur për gjendjen në Shqipëri. Nuk do ta harroj, sikur të dinin se jam gazetar, kamerat dhe mikrofonët m’u drejtuan pikërisht mua me pyetjen “Çka po ndodh në Shqipëri?”. Dhe unë, i lehtësuar që kisha lënë kaosin prapa dhe kisha shpëtuar kokën, u përgjigja me gjuhë diplomatike: Vërtet nuk e di çka po ndodh!

KUJTIMI I 97-ës DRAMATIKE

Në pranverën e atij viti kolegjiumi i gazetës “Flaka” e pa të arsyeshme që të dërgojë një korrespodent special në Shqipëri fill pas djegies së komisariatit të policisë në Vlorë, ku nisi të dalë tymi i një lufte qytetare nga më të çuditshmet në historinë e re të Evropës(pati mbi 2000 viktima gjatë atyre muajve). Unë u paraqita vullnetarisht që të shkoja, duke u bërë kështu njëri nga dy-tre gazetarët prej këndej që do të përcjellë për së afërmi ngjarjet. Më parë kisha marrë pjesë edhe në gjëra të bukura të ardhjes së demokracisë, ndaj ishte e logjikshme që edhe kjo situatë të më intrigonte në mënyrë të vet për të raportuar. Por ajo përgjigje që e dhashë në aeroportin e Sofjes kishte nisur të ngjizet në kokën time që në vitin 1996, pas zgjedhjeve të çrregulluara(jo të parregullta, por të çrregulluara, sepse opozita socialiste ishte tërhequr nga votimet në orët e pasdites, që u kishte dhënë mundësi demokratëve që të bënin ç’të donin me numërimin e votave). Rezultati ishte: fituesi merr gjithçka! Edhe më shumë nuk e kisha të qartë nga fundi i ’96-ës, kur nisën nishanet e para të rënies së kursimoreve piramidale. Pse? Sepse kryetari(presidenti) i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha, thoshte me rrahagjoks naiv se paret e shqiptarëve janë më të pastrat në botë! Shprehje e padijes me çështjet financiare, apo një lloj babaxhanllëku që politikanit i jep liri të flasë çka të dojë, paçka se pa bazë. Të jesh në krye të shtetit ku ke lejuar të bëhen “biznesmene” Sudet e famshme, nuk i bënte nder një shtetari, pa marrë parasysh se ndërtimi i demokracisë ishte në fillimet e saja. Por, pakuptimshmëria e radhës ishte që shtetit të lëkundet pikërisht nga këto kursimore piramidale që Sala nuk i shihte si problem disa muaj më parë. Një fatkeqësi e madhe që e përfshiu në fund të atij viti dhe në fillim të ‘97-ës, që nuk mund të përshkruhej me fjalë. Sepse, ajo ishte një situatë dramatike njerëzore: kishte disa vite që në ato kursimore piramidale futej një dollarë dhe merreshin tre, pa kurrfarë djerse. Njerëzit nisën të shesin shtëpi e gjithçka që kishin, për t’i futur paratë në ato kursimore (i)legale, sepse njerëzit ashtu pasuroheshin brenda nate. Por, defekti i tyre, natyrisht, është te vetngopja e skemës, vjen duke u shterur fitimi, sepse që të fitojë njëri, duhet tre të tjerë pas tij të fusin para, e që të fitojnë ata tre, nëntë të tjerë…Progresion matematik që çon në kolaps të pashmangshëm. Kur u përmbysën ato, u përmbysën ëndrrat për mijëra qytetarë, humbën gjithçka që kishin pasur më parë. Qytetarët kërkonin paratë prej shtetit, ndërkaq i kishin futur pa pyetur shtetin në ato kursimore. Por shteti nuk ishte pa faj, sepse i kishte toleruar kursimoret jashtë sistemit bankar, revolta shpërtheu ashtu siç shumëkush nga ne e mban mend, në pranverën e 97-tës, kur u rrënua shteti, kur u morën armët nga kazermat, kur u shpërbë policia e ushtria, kur u krijuan bandat dhe këshillat e shpëtimit, kur Zani Çaushat morën në dorë fatin e Shqipërisë, kur futën duart edhe shtetet “mike” me emisarët e vet, kur shqiptari vriste shqiptarin kotnasikoti. Kur ata që donin të përmbysnin pushtetin krenoheshin tek ngritnin tri gishta. Në atë gjendje e shihja Shqipërinë ato disa javë kur shkova vullnetarisht t’i përcjell ngjarjet nga afër, kur në Tiranë shihje civilë të armatosur  hipur në biçikletë ose vullnetarë që donin të mbanin rendin duke patrulluar hipur mbi tank, kur plaçkiteshin dyqanet, kur lexoje lajme tek kanë vrarë dikë vetëm pse ka hipur në “panderë” për të rregulluar rrymën, kur nuk mund të flije tek dëgjoje qitjet në fqinjësinë më të afërt!

Në gjithë këtë çrregullim kishte një përfitues. Politikanët që ishin në opozitë. Ata me mençuri “përkrahën” popullin, duke e nxitur ose duke e premtuar se do t’i kthenin paratë kur të vinin në pushtet. Do t’ua kthenin paratë gjer në lekun e fundit! Ta përkrahësh popullin është një dhe ta nxitësh revoltën e tij me premtime të parealizueshme, është tjetër dhe e ka emrin manipulim. Kishte shumë manipulatorë, të cilët kur erdhën pastaj në pushtet pas zgjedhjeve në kushte jo normale, asnjëherë nuk ua kthyen lekët të dëmtuarve. Por kjo u bë manir i sjelljes së politikanëve që të vazhdojnë të manipulojnë, të japin premtime përtej mundësive dhe aftësive të tyre për t’i realizuar dhe pastaj kemi vazhdimisht de javue-në  e raporteve pushtet – opozitë, vetëmve ndërrojnë rolet…

Kjo hyrje duket e stërzgjatur, por për të shkruar për atë që po ndodh në Shqipëri këto ditë, s’është asgjë e re, vetëm me aktorë në role tjera. Por, sado që në shikim të parë duket çdo gjë e qartë, mua prapë më duket se situata është ashtu siç ishte aty dy vite dramatike(1996-97), me shpresë se nuk do të përshkallëzohet ashtu, por përgjigja vërtet mund të duket ashtu: nuk po e dimë se çka po ndodh!

KARRIERAT POLITIKE MË TË RËNDËSISHME SE FATI I VENDIT?!

Nëse shikojmë shtypin ose rrjetet sociale, do të shohim një lloj tifozllëku pro Bashës ose pro Ramës, por çështja është më serioze se sa një tifozllëk emotiv, sepse nuk është fjala për rivalitet dy klubesh sportive. Sepse të përkrahësh opozitën dhe kauzën e tyre kundër “diktaturës” së Ramës, do të thotë të përkrahësh atë që sot mbarë bashkësia ndërkombëtare është kundër. Pra, kundër protestave të dhunshme e daljes nga institucionet, që një vendi si Shqipëria, nuk i konbtribuon as për konsolidimin e demokracisë, as shtetit juridik, as reformave, as luftës së kriminalitetit, as pastrimit të drogës nga parcelat, as eurointegrimit. Të gjitha këto, megjithatë, janë kauza të drejta të opozitës, sepse skandalet e panumërta të pushtetit të Edi Ramës, nuk janë gjëra të trilluara nga opozita. Më seriozja nga të gjitha këto, është fakti se bashkëpunëtorë më të afërt të kryeministrit, u zunë në flagrancë për lidhjet me trafikantët e drogës. Të gjitha këto do të mjaftonin për një krizë qeverisjeje, por kjo nuk ndodh në vende si Shqipëria. Edhe atje, së fundmi, na u zbuluan edhe incizime inkriminuese procese zgjedhore për qeverinë e Ramës, që ishin një argument plus për ta radikalizuar opozita kauzën antiqeveritare, që çoi gjer në “djegien e mandateve” që t’ia hapë rrugën “vullnetit të popullit”, i cili sipas retorikës, jo vetëm që paralajmëron veprime jashtinsittucionale pa kthim prapa(përjashton çdo mundësi për marrëveshje me qeverinë), por dhe shumë të panjohura deri ku mund të çojë.

Por, si ta përkrahësh pa rezervë një opozitë e cila, përkundër të gjitha apeleve, që nga BE-ja gjer përtej Atlantikut, sugjerojnë veprim institucional? A mund ta përkrahësh opozitën me fjalorin e saj të radikalizuar që nuk përjashton as veprime si ato të vitit 1997? Mund ta rrëzojë Ramën, po a mund t’i sjellë Shqipërisë mirë nëse vendi rrëshqet në një anarki të re. A mund të jesh me një opozitë e cila në CV-në e saj ka raste si Gërdecei, Damir Fazlliq, 21 janarin(me 4 viktima para kryeministrisë duke qenë ministër i punëve të brendshme pikërisht Lul Basha) dhe partner koalicioni pikërisht LSI-në, subjekt i dyhuar për klientelizëm. A mund të akuzosh një pushtet për moszgjidhje problemesh për të njëjtat që as vetë s’ka ditur t’i zgjidhë? A ka drejtë morale të akuzojë pushtetin për dukurinë e korrupsionit, një subjekt lideri i së cilës u kap në flagrancë për ndarje përqindjesh me ministrin e tij, i cili pastaj e kishte xhiruar me kamerë të fshehtë? Pra, Shqipëria është në një udhëkryq kur karrierat politike të pushtetarëve dhe opozitarëve janë më të rëndësishme se sa vetë fati i vendit. Sepse nuk dihet se çka duhet të ndodhë më  që të dridhet pushteti i Ramës. Iracionaliteti që ka kapluar jetën politike, mund të shihet në çdo fjalë e në çdo veprim politikanësh. Nuk mungojnë as analogji të situatës së atjeshme me krizën politike në Maqedoni, dhe opozitarët e paraqesin edhe më të keqe: “Gruevski nuk ka bërë as 10 për qind të asaj që ka bërë Rama!”, thoshte Aldo Bumçi i Partisë Demokratike në një debat televiziv, duke i bërë kështu nder Gruevskit, sepse sipas tij, të paktën i kishte sjellë vendit 3 miliardë investime, kundrejt zero investimesh që ka bërë Rama.

Por, nga ana tjetër, si të jesh me Ramën, i cili në opozitë denonconte Doktorin për të njëjta gjëra  që i bëri më vonë vetë? Si të jesh me të, që me të drejtë denoncoi marrëveshjen për ujërat detarë që e bëri qeveria e Sali Berishës, ndërkaq që sot ai bën një marrëveshje me Greqinë edhe më të dyshimtë se ajo e para?! Si mund të jesh me Ramën, i cili në dallim nga Sala që s’kishte fuqi të hynte në Lazarat, ai Lazaratin e pastroi nga kanabisi, por ndërkohë, si thotë opozita, a s’u bë gjithë Shqipëria Lazarat, duke u përfshirë madje dhe ministra të tij(Saimi Tahiri…).  Shqipëria është vendi magjisë së fjalëve dhe i hedhjes hi syve të popullit. Sot, nuk dihet nëse veprimi i opozitës është refleksion i bëmave të Ramës dhe brengosje e sinqertë për interesat e qytetarrëve, apo përpjekje e vetme e mundshme(sipas shembullit të Maqedonisë) për ta përmbysur pushtetin, kur nuk ka mundësi apo aftësi këtë ta bëjë me zgjedhje të rregullta? Nëse është kjo e dyta, a nuk vehet peng i gjithë populli dhe shteti për synimin e opozitës që të kthehet në pushtet?

Djegia e mandateve, hapi i fundit paqësor!? Kjo tezë e hedhur nga goja e opozitarëve tashmë ka nisur të trashet si qëllim dhe rrugë e paevitueshme. Rama dhe ndërkombëtarët e akuzojnë këtë synim, por a nuk ka të vërtetë siç tha një analist, se “ata ende nuk e kanë kuptuar çka ka ndodhur” duke komentuar dorëzimin e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës. Në këtë pikë e keqja është se paraqitet jo vetëm rasti pa presedent që të kemi parlament pa opozitë, por dhe një vakum institucional që nuk dihet se çfarë mund të jetë zgjidhja në formën e ndonjë marrëveshjeje, për çka shprehu gatishmëri Rama. Sepse marrëveshje për qeveri kalimtare, teknike, apo çfarëdo qeverie që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, duhet të kalojë nëpër parlament ku nuk ka opozitë. Pra, një situatë me shumë të panjohura në pikëpamje institucionale, por dhe problematike në anën tjetër, kur luhet me vullnetin e popullit, duke “sugjeruar” se  “duhet ta marrë fatin në duart e veta”.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)