Covid sjell rënie fitimi në rezortet e ish-presidentit Trump

50

Disa nga pronat më të përfolura të ish-presidentit Donald Trump pësuan rënie të fitimeve vitin e kaluar pasi bllokimet nga COVID-i dëmtuan biznesin, sipas një deklarate financiare të paraqitur të mërkurën, dita e tij e fundit në detyrë.

Trump International Hotel në Uashington, D.C., realizoi 15.1 milion dollarë të ardhura në vitin 2020 dhe në tre javët e para të vitit 2021, sipas deklaratës së zotit Trump. Kjo ishte 62.7% më e ulët se në vitin 2019, sipas deklaratës së tij të atij viti.

Rënia ishte e ngjashme në rezortin e zotit Trump në Las Vegas, ku të ardhurat ranë në 9.2 milionë dollarë ose 60.5% më pak. Në rezortin e tij të golfit në Florida, “Trump National Doral,” të ardhurat ranë 42.7% në vetëm 44.2 milion dollarë.

Ndryshe ndodhi me klubin e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, të Floridës, ku ai pritet të kalojë tani pjesën më të madhe të kohës. Të ardhurat në këtë pronë, të cilën zoti Trump shpesh e përdorte për të pritur aleatë politikë dhe personalitete të huaja, u rritën me 13%, duke arritur në 24.2 milion dollarë.

Deklaratat e rregullta financiare që zotit Trump i kërkohej të paraqiste si president, krijojnë një ide sado të vogël për financat e biznesmenit miliarder, sepse ai ka refuzuar vazhdimisht të publikojë deklaratat e tij tatimore, pavarësisht se për presidentët e mëparshëm ishte praktikë e zakonshme.

Deklarata e tij përfundimtare kishte 79 faqe dhe jepte hollësi për gjithçka, nga pronat e tij të ndryshme e deri te shumat që merrte në formë pagesash pensioni si anëtar i shoqatës Guild të aktorëve të ekranit. Aty përfshiheshin gjithashtu një numër dhuratash që zoti Trump mori si president, siç ishte një brez karateje Ultimate Fight Championship, me vlerë 650 dollarë, nga Colby Covington.

Deklaroheshin edhe një numër borxhesh të konsiderueshme të bizneseve të tij, si pesë kredi me vlerë të paktën 50 milion dollarë secila. Pjesa më e madhe e borxheve të deklaruara nga zoti Trump pritet të maturohet brenda katër viteve të ardhshme.