Tani që shkruaj këto radhë i frikësohem ditës së shtunë, që është edhe dita që ky material do të njohë botimin. Sipas meje jemi të gjithë duke jetuar Luftën e Tretë Botërore dhe Luftën e Parë Moderne
Nga Dr. Arben TARAVARI
Ne po jetojmë në muajt e Pandemisë e cila kurrë dhe asnjëherë nuk ka mbyllur njerëzimin në shtëpi. Një virus i cili quhet me disa emra tashmë por që rëndom thirret me emrin e familjes ku bën pjesë, koronavirus apo virusi Korona, zyrtarisht COVID-19, ka shkaktuar ndryshimin më të madh të jetës globale që prej Luftës së Dytë Botërore. Për momentin vëmendja është e përqendruar tek jetët njerëzore. Aktualisht synimi është të ruhet jeta pasi virusi di të jetë letal dhe nuk janë të pakta viktimat që shënon anembanë botës…Të gjithë e dinë tashmë se gjithçka nisi në një kryeqytetin e provincës së Hubeit, pjesë e republikës Popupullore të Kinës, pikërisht në qytetin e Wuhan-it. Wuhan-i numëron një popullsi prej 11 milion banorësh. Në 8 dhjetor të vitit 2019 nga ky qytet me histori të lashtë do të deklarohej zyrtarisht pacienti 0 me COVID-19. Pavarësisht që sipas gazetës South China Morning Post pretendohet që autoritetet kineze kishin identifikuar 266 persona të goditur nga ky virus që në 17 nëntor të vitit të kaluar. Ka teori edhe më konspirative që pretendojnë se virusi ka qenë edhe dy vite më parë se data zyrtare e ardhjes së tij në trupin e një njeriu. Pa dashur të bëjmë histori sot bota gjendet e pushtuar nga COVID-19. Ky virus ka gjunjëzuar superfuqi botërore dhe ka shkaktuar një histeri kolektive. Njerëzimi i mijëvjeçarit të ri nuk ka ndejtur kurrë kaq shumë brenda në shtëpi por mbi të gjitha planeti nuk ka qenë kurrë kaq i vogël sa këto kohë. Shtete si Gjermania apo Amerika, deklarojnë se në rastin e daljes e virozës nga kontrolli numri i të infektuarëve që do të kërkonin hospitalizim e sidomos intubim (frymëmarrje të drejtuar me oksigjen) do të ishte aq i lartë sa sistemet e tyre shëndetësore do të gjendeshin në kaos total. Në realitet situata ka dalë jashtë duarve në Itali, në shtetin e Da Vinçit dhe Mikelanxhelos gjithçka është në kolaps total. Brenda një dite virusi vdes 20 njerëz në orë. Ka qytete nuk ka më arkivole. Ceremonitë mortore janë bërë tashmë një luks. Njësoj si ushtarët që binin në front dhe trupat e tyre ktheheshin në rastin më të mirë si kufoma në shtëpi, ashtu edhe në këtë luftë trupat e viktimave të COVID-19-ës po risjellin të njëjtën gjendje, vetëm se këto lloj historish ne gjithnjë i kemi lexuar kurse këtë herë gjendemi protagonistë të tyre. Shteti i të kaltërve është mbyllur në shtëpi, duke marrë me vete frikën dhe tmerrin e kësaj tragjedie. Sheshet e famshme italiane janë bosh duke mos e ditur as ata se kur dhe si do mbarojë kjo luftë.
Kështu situata ku më shumë e ku më pak ka shkaktuar të infektuar, por mbi të gjitha Panik! Thonë se në Itali gjendja precipitoi kështu për shkak të neglizhencës së rasteve të para. Atëherë kur pacientët me këtë virus ishin 20-30. Edhe atëherë kur shkuan 100, prapë italianët nuk e dëgjuan thirrjen për distancim social, dhe kështu përqafim pas përqafimi, duke injoruar autoritetet sot gjenden si shteti me më shumë viktima në Europë, dhe me më shumë viktima në një ditë, në botë!
Po ne?! Maqedonia ka disa ditë që ka të infektuar. U shpall edhe gjendja e jashtëzakonshme. Por çfarë masash konkrete po merren për parandalimin e përhapjes së saj?! Ne jemi shtet i varfër me një sistem shëndetësor edhe më të varfër. Kur shikon Italinë, një nga shtetet me mjekësinë më të zhvilluar në botë, të përpëlitet nga sulmi i COVID-19, të zë paniku të mendosh Maqedoninë!
A ka formuar Qeveria një ekip ekspertësh me virologë, infektolog, mikrobiolog, ekonomistë, ekspertë të menaxhimit të epidemive?! Dhe vini re me kujdes: ekspertë! Jo kunata apo vëllai i kryetarit të partisë, jo djali i tezes që është emëruar inxhinier me diplomë 8 vjeçare! Por EKSPERTË! Nuk dua të shfrytëzoj asnjë sekondë të kësaj lufte si armë politike pavarësisht që ka shumë për t’u qortuar nga mënyra e menaxhimit, por tani dua që secili që ndodhet në poste drejtuese të kuptojë rëndësinë e kësaj që po ndodh. Të përgatitet maksimalisht, pasi sot si asnjëherë fëmijët tuaj janë të barabartë me fëmijët tanë! Sot si asnjëherë milioneri dhe i varfëri janë të barabartë! Sot si asnjëherë pushtetari dhe i papuni janë të barabartë si asnjëherë. Sot jemi të gjithë më shumë se kurrë një familje e madhe që duhet të mbrojnë anëtarët tanë. Ndërkohë vazhdoj dhe insistojë që të rrimë sa më shumë në shtëpi. Lajme shpresëdhënëse për vaksina e terapi po vijnë nga çdo anë, por deri sa të certifikohet zyrtarisht ndonjë medikament apo vaksinë, arma më efikase që kemi për të luftuar është Distancimi Social! Është ironike të mendohet por njerëzimi i mbytur në përqafime e shtrëngime duarsh kishte harruar të rrinte në shtëpi. Tani ajo që kërkohet është t’i lëmë pak kohë rrugët e të kthehemi në shtëpi. Sëmundja e shekullit është përkufizuar Vetmia…kurimi për të është vetëm kthimi në familje, ndaj sot qëndrimi në shtëpi nuk duhet të perceptohet si sakrificë por si terapi e domosdoshme psikologjike.
Sipas statistikave zyrtare ky virus godet më shumë të moshuarit, domethënë nënat, baballarët, gjyshet apo gjyshërit tanë…domethënë ky virus tenton të marrë familjen tonë…Epilogu i këtij shkrimi, nga më të vështirët që kam bërë ndonjëherë është: njerëzit ishin të pushtuar nga arroganca, xhelozia, pangopësia, hipokrizia, individualizmi, vetmia, ndaj kur erdhi COVID-19 i gjeti të dobët e të papërgatitur për të luftuar…por për disa ditë humanizmi triumfoi dhe me dashurinë ndaj njëri-tjetrit, të treguar në shtëpitë e tyre, ata arritën t’a mposhtin këtë virus që kishte shumë leksione!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)