Një polic italian që punonte si roje sigurie për kryeministrin italian, Giuseppe Conte, ka vdekur pasi kontraktoi koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton policia italiane, 52-vjeçari Giorgio Guastamacchia u testua pozitiv ndaj koronavirusit të ri në fund të muajit mars dhe që nga ajo kohë ka qenë i shtruar në spital, por ai u dërgua për trajtim në një njësi të kujdesit intensiv për shkak të gjendjes së tij të rëndë.
Në kohën kur ai u testua pozitiv, qeveria italiane tha se roja e sigurimit nuk ka qenë në kontakt me kryeministrin Conte për të paktën dy javë. Megjithatë, kryeministri u testua dhe rezultoi negativ në një test paraprak.
Shefi i policisë italiane, Franco Gabrielli, shprehu ngushëllimet e tij për familjen e 52-vjeçarit, i cili la gruan dhe dy djemtë e tij.
Italia ka qenë një nga vendet më të prekura nga koronavirusi në të gjithë botën dhe dje raportoi 766 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e çuar në 14.681 numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA në të gjithë botën nga ky virus kanë humbur jetën mbi 60.500 persona, ndërsa janë infektuar mbi 1.1 milionë. Po ashtu rreth 234 mijë persona janë shëruar nga virusi.