Sipas psikologëve, tërheqja e popullatës në vetmi, pamundësia për të takuar njerëz, ku edhe çdo njeri shihet si rrezik potencial, e shton akoma më shumë frikën dhe nervozën. Kjo gjendje e përshkallëzon gjendjen psikologjike tek njerëzit nga një panik, në një ankth të përgjithshëm, ku gjithçka është rrezik dhe rreziku mund të vijë prej gjithandej
Zenel MIFTARI
Shkup, 8 prill – Rreth 1500 gra, mesatarisht në vit janë viktima të dhunës familjare në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë ky numër mund të jetë shumë më i madh pasi në të shumtën e rasteve viktimat e dhunës për shkak të frikës shpesh-herë refuzojnë të flasin për dhunën ndaj tyre qoftë fizike, psikike apo seksuale. Shtëpia po llogaritet si një ndër vendet më të sigurta për të mos u infektuar me virusin korona, ndërkohë që kjo ndërlidhet edhe me apelin e autoriteteve shtetërore “Rri në shtëpi. Por fatkeqësisht jo për të gjithë shtëpia është një vend i sigurt, sepse mbyllja për disa gra dhe fëmijë, mund të jetë një rrezik më i madh se vetë virusi korona. Disa shtete europiane, kanë raportuar se është rritur numri i dhunës në familje për 30 për qind vetëm javën e fundit, pasi që virusi korona po i detyron qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe për pasojë të shtohen edhe tensionet brenda familjes.
Sipas psikologëve, tërheqja e popullatës në vetmi, pamundësia për të takuar njerëz, ku edhe çdo njeri shihet si rrezik potencial, e shton akoma më shumë frikën dhe nervozën. Kjo gjendje e përshkallëzon gjendjen psikologjike tek njerëzit nga një panik, në një ankth të përgjithshëm, ku gjithçka është rrezik dhe rreziku mund të vijë prej gjithandej. Për këtë arsyeje, vlerësohet se në masë të madhe, nga katër anët e botës, është rritur agresiviteti dhe dhuna në familje.
Profesoresha universitare, Kaltirna Zekolli Shaqiri, për gazetën KOHA, ka thënë se vetë ngujimi i detyruar të cilin po e kalojmë këto ditë, në varësi të individëve dhe të familjeve të caktuara, ka ndikimet e veta, sa të mira po aq edhe të këqija. “Një e mirë e vogël e gjithë kësaj që po kalojmë është shtimi i mundësive tona që fëmijëve tanë dhe anëtarëve tjerë të familjes t’í kushtojmë një kujdes më të madh. Megjithatë, pasojat e këtij veçimi nga shoqëria më e gjerë, mungesa e aktivitetit fizik, mungesa e kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit, miqtë e bashkëpunëtorët, ndikojnë në emocionet e njerëzve të cilat pastaj manifestohen në mënyra të ndryshme”, shprehet ajo.
Sipas saj, me krijimin e situatave stresuese, posaqërisht në mjediset dhe familjet me një standard më të ulët, me shtimin e mos durimit të theksuar në familje me marrëdhënie edhe ashtu të çrregulluara, me çrregullime fiziologjike si është shtimi i peshës trupore, ushqimi jo i shëndetshëm, çrregullimet e gjumit dhe anomali tjera të rëndësishme për shëndetin mendorë të njeriut, të gjitha këto ndikojnë te humori i personave në fjalë. Ajo, shton se e gjithë kjo situatë e këtillë mund të tejkalohen me urtësi, maturi dhe tolerancë. Ndërkaq, sipas saj, e tërë koha e kaluar në shtëpi duhet menaxhuar nëpërmjet organizimit të saj dhe duke mësuar aftësi të reja apo me aktivitete të tjera si me lexim, lojëra të ndryshme të dhomës, biseda konstruktive me familjarët dhe me punë nëpërmjet mjeteve të cilat teknologjitë e reja na mundësojnë. Organizatat jo qeveritare, të cilat janë të angazhuar kundër dhunës në familje, kanë vlerësuar se shteti ka dështuar në këtë drejtim, sepse po ndodhë në mungesë të vullneti të ndarjes së fondeve, si dhe në mungesë të vetëdijes për t`i trajtuar me seriozitet këto raste. (koha.mk)