Pas pandemisë politika në Maqedoni do të fokusohet tek zgjedhjet. Deri atëherë elektorati do të ndryshojë opinionet për politikanët dhe partitë politike. Menaxhimi i krizës aktuale në Maqedoni do të jetë pasqyrë se kush do të fitojë në zgjedhjet e 2020, në rast se ato do të organizohen
Destan JONUZI
Shkup, 4 prill – Covid19, tanimë ka ndryshuar jetët e miliona njerëzve në botë. Ka ndryshuar qasja shoqërore, ekonomike, sociale e politike. Për shkak të Covid 19, në Maqedoni nuk u mbajtën edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Pajtueshmëri që KSHZ ti ngrijë të gjitha aktivitetet e ndërmarra për kohë dhe situatë normal, dhanë të gjithë faktorët politik në vend. Por, a mund Covid19 të ridizajnojë skenën politike në Maqedoni? A mund të pritet një qasje tjetër pas pandemisë, shkruan gazeta KOHA
Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSD – Macedonia) thotë se pas pandemisë politika shqiptare në Maqedoni do të fokusohet tek zgjedhjet. “Deri atëherë elektorati do të ndryshojë opinionet për politikanët dhe partitë politike. Menaxhimi i krizës aktuale në Maqedoni do të jetë pasqyrë se kush do të fitojë në zgjedhjet e 2020 dhe në qoftë se do të organizohen. Akuzat LSDM dhe VMRO dhe mospajtimet e BDI me politikat ekonomike në kohë të krizës i japin një shans BDI të del me program konkret në zgjedhje dhe përkrah votuesve në këtë kohë të krizës. Të njëjtën duhet ta bëjnë partitë opozitare shqiptare që të kundërshtojnë Zaevin dhe qeverinë e përkohshme për masat drastike ndaj qytetarëve”, deklaroi për KOHA, Ibraimi.
Gjithsesi, shton ai, politika shqiptare në Maqedoni nuk do të jetë e njëjtë dhe kjo lidhet me lidershipin e treguar gjatë kësaj pandemie. “Siç shihet shumë politikanë shqiptarë të Maqedonisë kanë humbur, dhe oligarkët e tyre po dëmtojnë qytetarët. Në planin rajonal pandemia dhe politika ndërkombëtare e ka bërë Kosovën një zonë interesash vendore dhe të jashtme. Qeveria e Kurtit ra dhe tash vlimit politik do të vazhdojnë dhe do të jenë aktuale edhe në qoftë se do të kemi qeveri të re. Në Shqipëri kemi ulje të akuzave PS dhe PD por kritikat vazhdojnë që do të përcillen deri në zgjedhjet e 2021. Në kushte të jashtëzakonshme politika vazhdon të përçajë dhe bëjë të fortë përfituesit e saj”, thekson Ibraimi.
Opinionistja, Aleksandra Micoska Mitevska, vlerëson se kriza me Covid19, jo vetëm që anulojë zgjedhjet e planifikuara parlamentare për një periudhë më të mirë, por nxori në pah edhe figura tjera politike, në llogari të liderëve partiak të cilët nuk do të ishin “aktorë” kryesor nëse tash zhvilloheshe fushat zgjedhore. “Prej kur Qeveria teknike nisi ‘tangon’, siç thotë Zoran Zaevi, në këtë krizë shumë do të varet se si do të zhvillohet situata e mëtejshme politike. Megjithatë, edhe pas tejkalimit të krizës, nuk pres ndryshime drastike në retorikën e liderëve politik, të cilët edhe në këto momente krize kanë retorik të elektrizuar”, vlerëson Micoska Mitevska. Sipas saj, kritikat dhe akuzat e ndërsjella do të vazhdojnë të dominojnë edhe gjatë dhe pas krizës.
“Në vend që liderët partiak tanimë të kenë video linja të drejtpërdrejta mes vete dhe të shkëmbejnë mendime për zgjidhje të përbashkëta, shohim se si ato për çdo ditë ato akuzojnë njëri tjetrin se cili është më analfabet ekonomik”, nënvizon Micoska Mitevska.
Në anën tjetër, analisti Faton Aliti konsideron se pas tejkalimit të krizës me Covid19, shumëçka do të ndryshojë në qasjen e njerëzve ndaj jetës në përgjithësi, dhe rrjedhimisht do të ndryshojnë edhe politikat. “Por ndryshimet kryesisht do të jenë të koncentruara në politika afatshkurtra dhe më miqësore në drejtim të përmirësimit të sistemit shëndetësor, si për shembull objekte dhe aparatura bashkëkohore. Por, këto politika do të mbeten pa efektet e dëshiruara nëse njëkohësisht nuk përgatiten edhe strategji afatgjata që do të nënkuptojnë sistem shkollimi bashkëkohor, me theks të veçantë në shëndetësi. Këtu kam parasysh fillimisht intervenime urgjente në shkollimin fillor dhe të mesëm, sepse universitetet ushqehen me studentë pikërisht nga shkollat e mesme”, thotë Aliti.
Ndryshe, liderët dhe partitë politike në vend edhe gjatë kohës sa po vazhdon gjendja e jashtëzakonshme në vend kanë zhvilluar debatet dhe përplasjet e tyre. VMRO-DPMNE-ja me të madhe konteston masat Qeveritare për parandalimin dhe luftimin e Covid19. Në anën tjetër, partitë politike shqiptare, sidomos BDI kundërshtoi ashpër propozimin e LSDM-së për uljen e pagave të punësuarve në administratë. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev së fundmi ka pranuar se ka qenë presioni i BDI-së ai që ka ndaluar këtë masë ekonomike të vihet në praktik. (koha.mk)