Javën e kaluar një hulumtues spanjoll i biologjisë tha: Ju i jepni futbollistit një milion euro në muaj dhe një studiuesit biologjik 1800 euro. Tani ju po kërkoni mjekim. Shkoni te Kristiano Ronaldo apo Messi dhe ata do t’ju gjejnë një ilaç
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 prill – Italia, Franca dhe Spanja aktualisht janë tre shtetet evropiane që janë më goditura nga pandemia, andaj edhe kërkimi për medikamente dhe mjekimin e pasojave të koronavirusit është shtruar si çështje më imediate në këto shtete. Duke marrë parasysh se antibiotikët veprojnë vetëm kundër baktereve, ndërsa akoma nuk as vaksinë që krijon mbrojtje nga koronavirusi dhe as ndonjë terapi tjetër që mund të luftojë këtë sëmundje, shkencëtarët në tërë botën po bëjnë përpjekje që të gjendet një medikament që do të shërojë këtë sëmundje, shkruan gazeta KOHA.
Një përzierje e ilaçeve që mjekojnë AIDS dhe gripin, ilaçe nga plazma e gjakut, një veprim i përbashkët i ilaçeve kundër malaries dhe azitromiçinit si shpikje e dikurshme e Plivës së Zagrebit, tani në pronësi të firmës izraelite TEVA. Këto janë vetëm një pjesë e zgjidhjeve të mundshme të mjekimit të kësaj sëmundje, por që do të duhet kohë të analizohen, testohen dhe më në fund edhe të miratohen për veprim.
Në ndërkohë në kohë krizë shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore, njerëzit në tërë botën kanë edhe më shumë kohë të mendojnë dhe analizojnë vendin e tyre të punës, kontributin ndaj shoqërisë , pozitën dhe statusin e tyre, por edhe të krahasojnë punën që e bëjnë dhe vlerën që e kanë për një shoqëri. Javën e kaluar , një hulumtues biologjik spanjoll tha : Ju i jepni futbollistit një milion euro në muaj dhe një studiuesit biologjik 1800 euro. Tani ju po kërkoni mjekim. Shkoni te Christiano Ronaldo apo Messi dhe ata do t’ju gjejnë një ilaç.
Tani nëse edhe bota moderne po funksionon në frymën e asaj proverbës latine “Panem et circenses”, apo bukë dhe zbavitje, ku na mbeti shkenca, shkencëtarët dhe pagesa e tyre në bazë të investimit në tru për dekada me radhë. Ku mbeti shpagimi i investimit në shkollim për tërë jetën, publikimi i vazhdueshëm i punimeve të ndryshme, apo për kohën , mjetet dhe energjinë e harxhuar për tu bërë shkencëtar. Ku mbeti shpagimi i mundit për tërë atë lodhje dhe mundim të madh për tërë jetën, kalimin edhe të kohës së lirë duke ndjekur të arriturat më të fundit në shkencë, marrja pjesë në konferenca dhe tribuna të ndryshme shkencore, apo edhe marrja kohë shpesh edhe nga jeta private për të qenë në nivel të detyrës.
Me globalizimin e futbollit, pagesat nga të drejtat televizive, hyrjes në tregjet aziatike, depërtimit të kapitalit nga shtetet e pasura me naftë apo gaz , tregu i pagesës së futbollistëve thjesht u tjetërsua, arriti majat e komercializimit dhe thjesht u bë biznes dhe ngadalë e sigurt po e humb edhe shpirtin e tij. Tani futbollistët që edhe nga dy herë në ditë shkojnë për trajnime që nga mosha tetë vjeçare, të cilëve ju përfundon karriera me 30 deri 32 vjeç, patjetër se duhet të sigurojnë të ardhmen e tyre dhe të shpërblehen për mundin dhe sakrificën e tyre. Mirëpo këtu kanë dështuar edhe organet që udhëheqin futbollin në nivel evropian dhe botëror, apo edhe organizmat e Komisionit Evropian, për shkak se fare pak kanë lëvizur më seriozisht në kufizimin e pagave të çmendura të futbollistëve më të famshëm në botë, apo në transferet të vlefshme me qindra e qindra miliona euro. Thjesht nuk kemi arritur një fer pley financiar ku më nuk do të mundet ekipet me më pak mjete financiare që nesër as të ëndërrojnë të bëhen kampione të Evropës. E ku mbeti shpirti i sportit këtu, kur një ekip thjesht do derdh miliarda euro dhe do bëhet kampion, ndërsa një ekip tjetër që prodhon për çdo vite lojtarë e ka të pamundur të bëhet kampion. Në fund nëse i kthehemi rrethanave dhe problemeve në vendin tonë, kemi 16 universitete dhe mbi 2000 programe studimore në dy milion popullatë , shumë pak apo gati aspak financohen projektet shkencore-hulumtuese , ndërsa në vitet e kaluara për shkencë ndahen mjete ndër më të ulëtat në Evropë me 0.2 deri 0.4 për qind si pjesë e PBB-së , apo në shifra ndërmjet 20 deri 40 milionë euro. (koha.mk)