Covid-19 ka penguar zhvillimin njerëzor me pesë vjet

Një raport i Kombeve të Bashkuara i botuar të enjten pretendon se një sërë krizash të paprecedentë, veçanërisht pandemia e COVID-19, e kanë kthyer përparimin njerëzor pesë vjet mbrapa dhe kanë nxitur një valë globale pasigurie, shkruan BBC. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) njoftoi se për herë të parë që kur u krijua më shumë se 30 vjet më parë, Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (një masë e jetëgjatësisë, niveleve arsimore dhe standardeve të jetesës) ra për dy vite radhazi. “Kjo do të thotë se ne po vdesim më herët, ne jemi më pak të arsimuar dhe të ardhurat tona po bien”, ka thënë shefi i UNDP-së, Achim Steiner në një intervistë me AFP.

Indeksi i Zhvillimit Njerëzor është rritur në mënyrë të qëndrueshme për dekada, por filloi të bjerë në vitin 2020 dhe vazhdoi të bjerë më 2021, duke përmbysur progresin e pesë vjetëve të mëparshme. I titulluar “Kohë të pasigurta, jetë të paqëndrueshme”, raporti thekson pandeminë COVID-19 si shtytësin kryesor të trazirave globale, por gjithashtu thotë se një numër në rritje i krizave politike, financiare dhe klimatike, nuk i kanë dhënë kohë popullatës për t’u rikuperuar. “Ne kemi pasur fatkeqësi më parë. Ne kemi pasur konflikte më parë, por kombinimi i asaj që po përballemi tani është një pengesë e madhe për zhvillimin njerëzor”, shtoi Steiner.