Nga Artan FUGA
Kjo dramë që ka pllakosur, pra covid19, tregoi dobësinë e të gjitha shkencave dhe teknologjive të njeriut, por edhe fuqinë e filozofisë!
Çfarë dije e urtë mijëravjeçare! Solide si shkëmb! Atë filozofi që ne e kemi përdhosur, e kemi hequr nga formimi universitar i studentëve, atë filozofi që i çon drejt e në papunësi studentët që diplomohen atje.
Sepse e kam thënë. Në Shqipëri më kollaj gjen punë si hoxhë, prift, dervish sesa si filozof. Filozofi jeton në dramë dhe tragjedi kur të tjerët jetojnë në qejf dhe moskokëçarje sepse ai jeton brenda universit të dijeve filozofike.
Kurse kur tragjedia vjen, filozofi qëndron i qetë, sepse i duket si diçka që pritej mos sot nesër! Filozofia në një anë dhe tregu dhe puna në anë tjetër. Pa lidhje!
Shoqëri idiote! Filozofia e vërtetë, jo ai delirimi halucinant i disave që kujtojnë se bëjnë filozofi kur përdorin terma që as vetë nuk dinë se çfarë janë…, nuk delka nga moda, nuk vdiska, vdes dhe ringjallet!
Tragjeditë e mëdha të njerëzimit janë monumente të filozofisë. Por, në ato çaste njerëzit e papërgatitur nisin flasin budallallëqe, kurse sapo tragjedia dhe halli kolektiv kalon, nuk kujtohen më për filozofinë, por e kanë mendjen te bëhen avoketër, bankierë, a nuk e di se çfarë, shumë mirë, por filozofinë nisin e përbuzin, e hedhin tej, e përçmojnë si Hirushen, si Sirenën, si Kësulkuqen në gojë të Ujkut.
Filozofia ngrihet nga nëntoka atje varrosur pikërisht kur toka kthehet përmbys! Ndofta nuk jeton dot ndryshe! Njeriu budalla nuk e mban dot mbi kurriz filozofinë!