Mesfushori brazilian, Philippe Coutinho, që u huazua te Bayern Muencheni nga Barcelona para fillimit të këtij edicioni, ka një kosto jashtëzakonisht të lartë për ekipin bavarez, ka raportuar të premten “Bild”.
Për vetëm një ndeshje, ai po i kushton skuadrës bavareze 657 mijë euro, bazuar në të gjitha kushtet që është pajtuar Bayerni për ta huazuar nga skuadra spanjolle. Krahas pagesës prej 8.1 milionë eurosh që ia ka paguar Barcelonës për huazimin njëvjeçar të Coutinhos, Bayerni ka marrë përsipër edhe pagën vjetore të mesfushorit brazilian që kap shifrën e 24.5 milionë eurove. Gjithashtu, Bayerni ka opsionin e blerjes së kartonit të Coutinhos në fund të këtij edicioni për 117 milionë euro dëmshpërblim, shkruan sot Koha Ditore.
“Shuma totale që Bayerni ka pranuar të paguajë për huazimin e Coutinhos është marramendëse. Bazuar në të gjitha shifrat, atëherë del se Coutinho i kushton Bayernit hiq më pak se 657 mijë euro për vetëm një ndeshje”, ka shkruar “Bild”.
Coutinho ka pranuar të largohet nga Barcelona pas vetëm një viti e gjysmë, pasi tek ekipi spanjoll nuk ishin të kënaqur me paraqitjet e tij dhe trajneri Ernesto Valverde nuk ia premtoi vendin e titullarit. Ai edicionin e shkuar te Barcelona pati 54 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar 11 gola dhe asistuar pesë herë.