“Kudo që të jem, do ta marr Hazardin me vete”, kështu tha Thibaut Courtois pas Kupës së Botës “Rusia 2018”, dhe duket se në janar mund të bëhet realitet. “Edeni (Hazard) duhet të qëndrojë me mua përgjithmonë. Kudo që të jem, do të marr Hazardin. Dhe ai do të më marrë me vete gjithashtu”. Këto fjalë të Courtois më 14 korrik, pas fitores së Belgjikës ndaj Anglisë në ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt në Botë, ishin sinjale se Hazard mund ta veshë fanellën e bardhë. Disa ditë pas këtyre deklaratave, Courtois u bë lojtar i ri i Madridit dhe ishte hapi i parë për ardhjen e shokut të tij Hazard te Los Blancos. Hazardi sërish tha se ëndërron një ditë të luajë në Spanjë dhe klubi që e dëshiron është Madridi dhe gjithçka mund të bëhet realitet në afatin kalimtar të janarit, për shkak se Madridi do të tentojë të blejë lojtarë pas sezonit jo të mirë që po kalon me Julen Lopeteguin.