Portieri Thibaut Courtois dhe sulmuesi Eden Hazard do të bashkohen sërish. Ata do të luajnë sezonin e ardhshëm 2019-2020 me skuadrën e Real Madrid.
Dy belgët kanë luajtur edhe më parë së bashku, te Chelsea, por tashmë do të veshin fanellën “los blancos”. Portieri, që në Madrid luan prej një viti, ka mirëpritur patriotin e tij.
“Jam shumë entuziast për ardhjen e Eden te Reali, te skuadra më e mirë në botë. Është një djalë shumë i qetë, i sjellshëm dhe gjithnjë buzëqesh. Eden do të fitojë gjithnjë, të shënojë dhe japë asist”, tha Courtois për “Marca”.
“Këto cilësi e bëjnë një kampion të madh dhe këta futbollistë meritojnë të luajnë te Reali. Ardhja e tij do ta rritë ndjeshëm cilësinë e skuadrës. Mendoj se do të ndihet shumë mirë me grupin”, u shpreh Courtois, që mirëpret ish-shokun e tij të skuadrës te “blues”.