Kur një lajm nuk ka vetëm një burim, përgatituni të bëhet konkret. Portieri Thibaut Courtois është drejt largimit nga Chelsea dhe destinacioni i tij do të jetë sërish Madridi, por jo skuadra ku më parë ka qenë i huazuar, Atletico Madrid. E kuptuat, belgu në verën e ardhshme pritet të bëhet numri 1 i Real Madrid-it, emri që asnjë futbollist në botë nuk e injoron dot. Courtois e ka bërë të ditur me kohë dëshirën e tij për t’u rikthyer në La Liga, teksa thuhet se ka njoftuar disa shokë të tij në Londër se së shpejti do ta shohin në “Santiago Bernabeu”. Portieri aktual i madrilenëve, Keylor Navas, ka besimin e stafit teknik të “Galaktikëve”, por mosha e tij (30 vjeç) bën që të mënjanohet dhe belgu është i vetëdijshëm se ka shansin të bëhet pasues afatgjatë i kostarikanit. Siç ka zbuluar “Onda Cero”, hierarkia madrilene dhe Courtois e kanë kaluar fazën e bisedimeve dhe janë pranë marrëveshjes për ta transferuar 24-vjeçarin në kryeqytetin spanjoll. “Marca”, ndërkohë, e përforcon këtë lajm duke shkruar se te Chelsea po këmbëngulin ta mbajnë në “Stamford Bridge”, por ai e ka marrë vendimin. Kështu, “Los Blancos” do të “blindojnë” portën.