Corona si shans për ruajtjen e klimës

19

Krizën e Coronës duhet ta shfrytëzojmë si shans për përmirësimin e klimës dhe sistemeve ekologjike. Duhet të kemi pak më shumë guxim për të vepruar

Nga Neil KING

Kriza e Coronës dëshmoi, se jemi të gatshëm për ndryshime radikale dhe të shpejta, kur kjo është e domosdoshme për të mirën e përgjithshme. Shumica dërmuese e njerëzve kanë qenë solidarë në muajt e kaluar dhe kanë pranuar kufizimet, për të evituar përhapjen e virusit. Kjo na jep shpresë se mund t’u bëjmë përballë sfidave edhe më të mëdha për ruajtjen e klimës – nëse jemi solidarë. Kriza e Coronës ka ndryshuar klimën. Ajri dhe uji në shumë rajone bregdetare janë pastruar, ndërsa emetimi i CO2 po përjeton një rënie në kuota historike. Por efekti i Coronës do të jetë afatshkurtër. Ekziston frika madje se pas krizës do të arrihen vlera rekorde të ndotjes së ambientit. Një efekt i tillë “Rebound” është parë pas krizës financiare të viteve 2008/2009.

Ekonomia dhe klima

Corona me siguri që nuk do t’i zgjidhë problemet tona me klimën. Këtë me siguri që nuk e dëshiron askush, kur dihet se çfarë vuajtjesh sjell virusi Corona. Uljen e lirimit të gazrave të dëmshme duhet ta marrim vet përsipër. Në vitet në vijim duhet të transformojmë ekonominë tonë dhe stilin e jetës në mënyrë radikale, nëse duam të kufizojmë rritjen e temperaturave.

Shumë ekspertë thonë ndërkohë se ne duhet të heqim dorë nga doktrina e tanishme e rritjes ekonomike. Ne nuk duhet të insistojmë patjetër që çdo vit ekonomia të rritet mbi prodhimin bruto të vitit të mëparshëm, por duhet të bëjmë reforma tatimore dhe duhet të kujdesemi për faktorët tjerë që ndikojnë në ruajtjen e klimës. Taksat në të ardhmen mund të varen jo nga fitimi i sipërmarrjes, por nga shpenzimi i resurseve. Ekspertët mendojnë se sipërmarrjet duhet të kujdesen më shumë për mjedisin dhe se ato duhet të ndihmohen që të dalin nga kriza e tanishme varësisht nga koncepti i tyre për ruajtjen e klimës. Pa reforma nuk duhet të ketë as ndihma për shpëtimin e ekonomisë. Por tani po ndodh e kundërta.

BE ka hartuar një program për shpëtimin e ekonomisë, në vlerë prej 750 miliardë Euro. Flitet se do të ndahen edhe më shumë para. Ndërkohë që klima këtu luan vetëm një rol margjinal. Qëllimi është që të ruhet ekonomia dhe të kthehemi në sistemin e deritanishëm. Në këtë mënyrë po e humbim edhe këtë shans për ndryshime, e rreziku nga kthimi në status quo është më i madh, sepse jemi duke rrezikuar ekzistencën e planetit tonë.

Rrugëdalja apo kthimi mbrapa?

Jeta jonë ka ndryshuar shumë gjatë kësaj krize. Home-Office ka filluar të aplikohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Njerëzit tani kalojnë shumë më shumë kohë me familjet e tyre dhe më pak në zyrë apo në trafik. Disa prej nesh kanë mbjellur për herë të parë edhe ndonjë perime apo lule në ballkon dhe oborr. Kemi zbuluar modele të reja jete. Kemi zbuluar edhe solidaritetin me të tjerët. Ndoshta këto njohuri na ndihmojnë për ridefinimin e gjendjes dhe të ardhmes, për heqje dorë nga disa gjëra dhe për alikimin e të tjerave. Po çfarë do të mbetet pas krizës së Coronës? A do të rrezikojmë prap rikthimin në një diktaturë konsumi, siç e ka definuar eksperti Niko Paech? Unë jam optimist në jetë, por kam frikë se shumë pak njerëz do të reflektojnë dhe se shumë shpejtë do t’i kthehen stilit të vjetër të jetës. Njeriu mësohet shpejt me gjërat, por edhe mëson shpejtë. Ne do të kemi edhe pak kohë për të ndryshuar, para se të kalojë tërësisht kriza e Coronës. Këtë kohë duhet ta shfrytëzojmë. (DW)

Comments are closed.