Dhoma e Ulët në Parlamentin italian i ka dhënë me shumicë besimin qeverisë Conte 2, duke e shpëtuar kështu nga dorëheqja.

Në favor të saj shkuan 321 vota pro, 259 kundër dhe 27 abstenime.

Nuk munguan tensionet dhe debatet pas fjalës së kryeministrit Conte i cili thirri në ndihmë deputetët ” e gatshëm” për të dalë nga kriza.

Advertisements

Italia Viva , e cila e hapi krizën, konfirmoi  abstenimin (i cili duhet të ndodhë edhe në Senat  edhe nëse dikush në partinë e Renzi tundohet nga “jo” ndaj Conte-bis).

Replika e Kryeministrit në Dhomë: “Apeli im është i qartë, ekziston një projekt i saktë politik. Unë kërkoj besimin.”

Giuseppe Conte ndër të tjera bëri thirrje që të gjitha përpjekjet tani të fokusohen tek pandemia e koronavirusit dhe jo tek kriza politike e vendit.

“Të gjitha energjitë tona duhet të fokusohen tek kriza e vendit. Ndërsa, në sytë e qytetarëve, pasqyrohen polemikat, që në shumë raste janë sterile, është krejtësisht të pakuptueshme që ata çdo ditë të përballen me frikën e sëmundjes, varfërimit, gjendjen e keqe sociale apo ankthin për të ardhmen,” tha Conte.

Që prej së shtunës Italia ka vendosur kufizime të rrepta në përpjekje për të kontrolluar përhapjen e pandemisë që deri më tani ka sjellë rreth 82 mijë viktima dhe ka shkatërruar ekonominë.

Sfida e radhës për Conte mbetet Senati.