Vetëm dy ditë pas festës për triumfin e parë në derbin e Milanos, Antonio Conte doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të një tjetër sfide të vështirë për Interin e tij, atë ndaj Lazios nesër në mbrëmje në “San Siro”. Tekniku zikaltër pranoi se do të jetë një sfidë shumë e vështirë, ndërsa tha se skuadra duhet t’i marrë ndeshjet me radhë, Conte nuk ngurroi të japë edhe një koment për racizimin, këtë herë duke sulmuar edhe disa gazetarë.
Menjëherë pas derbit, vjen një impenjim shumë i rëndësishëm, si ai ndaj Lazios…
Është një ndeshje vërtetë shumë impenjative, ndaj njërit prej kundërshtarëve më të vështirë për t’u përballuar në këto javë të para. Lazio është një skuadër me elementë cilësorë, që ka krijuar një identitet loje dhe punon prej vitesh nën drejtimin e një trajneri shumë të zotë si Inzaghi. Duhet të dimë se nesër duhet të vrapojmë të gjithë shumë, për të marrë një rezultat pozitiv.
Sa i përket racizimit, je dakord me gjithë sa tha Infantino?
Po dhe pastaj ju mund të gjeni artikuj të shkruar nga gazetarë, që thonë se unë do të mbytem nga sharjet e fyerjet gjatë ndeshjes Inter-Juventus. Jam shumë i tronditur, pasi shkruesi e folësi duhet të kenë shumë ndërgjegje, për të kuptuar se çfarë shkaktojnë e çfarë transmetojnë te lexuesit, fjalët e tyre. Po të isha drejtor gazete, do t’i merrja me shkelma disa prej këtyre gazetarëve. Sot është pena e lirë, por shkruesi dhe komunikuesi duhet të mendojnë mirë mbi ato që thonë.
Ata që janë më mbrapa me përgatitjet mund t’u ndihmojnë nesër?
Të gjithë djemtë punojnë për të zgjeruar sa më shumë bazën e titullarëve, pasi e kemi të qartë që me marsh të ulët nuk mund të luash. Do të jetë e rëndësishme të zgjerojmë atë bazë, më pas zgjedhjet i bëj unë duke llogaritur garancitë që më japin. Më pas duhet që edhe të rrezikojmë disi.
Në çfarë aspektesh është mbrapa Sanchez?
Diskutimi vlen për të gjithë dhe jo vetëm për një person. Kur të jenë gati do luajnë si Sanchez, ashtu edhe Lazaro, Bastoni e Biraghi. Mos harroni që unë përfaqësoj interesat e Interit dhe zgjedh më të mirën për klubin, jo për lojtarët.
Godin e De Vrij kanë shfaqur probleme fizike. A mund të luajnë ata 3 ndeshje në pak ditë?
Godin ka luajtur me Udinesen, pastaj bëri pushim në Champions, ndërsa De Vrij ka disa shqetësime, por për vetë pozicionin që ka në fushë, mund të përballojë shumë ndeshje. Po flasim për djem që stërviten mirë dhe natyrisht që nuk i kanë problem situata të tilla. Megjithatë disa risqe duhen marrë ndonjëherë.
Pas 3 ndeshjesh, do të vijë përballja me Juven. Keni filluar të mendoni për atë takim? A është kjo periudhë, më e vështira e kampionatit?
Jo. Jemi të përqendruar maksimalisht te ndeshja e nesërme. Deri atëherë ka edhe shumë kohë, ndaj duhet t’i shohim ndeshjet me radhë dhe të mendojmë për të tashmen, sepse e ardhmja nuk është në dorën tonë. Nuk mendoj se është kjo periudha më e vështirë, por se i tillë do të jetë i gjithë viti. Nëse duam të rritemi, të ecim përpara dhe të fitojmë diçka, duhet të jemi të përgatitur çdo ditë njësoj, për të përballuar sfida të rëndësishme.
A shikon veten te Barella?
Nicolò ka karakteristika të sakta dhe hapësirë të bollshme për rritje. Ai është aq bujar sa unë isha, ai është një djalë që rrezaton energji nga të gjitha poret, do të duhet të jemi të saktë në kanalizimin e energjisë aty ku duam. Shumë herë ka humbje energjie, por ne po flasim për një djalë që ka potencial të lartë, punon dhe është i disponueshëm. Ai donte të luante për Interin dhe janë të gjithë përbërësit që të bëhet një kolonë e këtij klubi.
Godin ka thënë se keni karakteristika të ngjashme me Simeonen…
Edhe në fushë kemi qenë shumë të ngjashëm,. Ai ishte një djalë i ashpër, që nuk u dorëzua kurrë dhe tani po bën një karrierë të shkëlqyer si trajner. Ai gjeti vendin e tij ideal, ku solli idetë dhe filozofinë e duhur, duke krijuar një ekip shumë të vështirë për ta përballur.
A e mendoni veten aq gjatë në stolin e Interit, sa Simeone te Atletico?
Kur fillon një projekt të ri, shpresa është se do të jetë i gjatë dhe i qëndrueshëm. Sa më shumë të qëndrosh në një klub, aq më shumë do të thotë që idetë e tua janë asimiluar. Mund të punosh me një grup njerëzish që të njohin dhe mund vetëm të përmirësohen vetëm. Mund të bëhen ndryshime dhe të rritesh. Që një trajner të qëndrojë në një klub për shumë vite, do të ishte gjëja më e mirë dhe është ajo që shpresoj se do të ndodhë herët a vonë, sepse maksimumi që kam ndenjur në një klub ishte tre vjet. Për të hapur një cikël nga këndvështrimi i punës, do të ishte shumë më e lehtë, sepse nuk fillon çdo gjë nga e para dhe nuk është e lehtë sepse atëherë duhet të gjeni njerëzit që mund t’ju mbështesin në çdo gjë. Ju gjithashtu më jepni asist me këtë pyetje sepse duhet të falënderoj në këtë fillim te Interi, Lele Orialin për punën që po bën. Unë e di se çfarë po bën dhe e di se çfarë po bën edhe vetë Zanetti. Tani do të jetë e rëndësishme të vazhdojmë në këtë rrugë, por unë pata fatin të kem njerëz shumë të afërt këtu, të cilët besojnë në atë që ne po bëjmë. Një falënderim i madh