Shkëlzen HALIMI
Për ta treguar “fuqinë” dhe për t’i disiplinuar shqiptarët, pushtet e mëparshme “demokratike” të Maqedonisë, përmes metodave të njohura të UDB-ës, montuan dhe ekzekutuan kurthe të ndryshme, në të cilat fatkeqësisht duheshin të kapeshin vetëm shqiptarët.
Janë të njohura ngjarjet e Bit Pazarit, Afera e armëve, Sopoti, Bordeci, Monstra, Lagjia e trimave etj., për të cilat akoma sot e kësaj dite nuk dihet si dhe pse ndodhën. Ajo që dihet është se adresa e vetme e fajësisë ishin shqiptarët. Tashmë pothuaj kanë filluar të dalin në shesh të vërteta e dhimbshme. Dihet se ata që e pësuan në rastin e Sopotit janë qind për qind të pafajshëm. Por, ky rast do të konsiderohet i mbyllur vetëm atëherë kur do të bëhen të ditur emrat e atyre që e sajuan skenarin e kësaj ngjarje të tmerrshme. Pastaj, të akuzuarit me burg të përjetshëm në rastin e Monstrës, tashmë që po mbrohen në liri, e meritojnë ta dinë të vërtetën e vuajtjes së tyre. As kjo ngjarje çnjerëzore nuk do të mund të harrohet po që se nuk del në shesh e vërteta e ngjarjes makabre.
Kërkesa për një hetim ndërkombëtar për incidentin e armatosur në Kumanovë që ndodhi më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, me qëllim që të arrihet deri te e vërteta e kësaj ngjarje, është një kërkesë që gjithsesi do të qetësonte gjakrat e shumë palëve, të cilët konsiderojnë se kjo ndodhi sipas një skenari, me prapavijë të rrezikshme, për të cilën nuk ishin të vetëdijshëm as policia maqedonase e as pjesëtarët e grupit të armatosur. Pra, çmontimi i kësaj ngjarje, por edhe të atyre paraprake do të ishte një mësim i rëndësishëm, por edhe një dëshmi se deri ku mund të shkojë etja për pushtet.
Megjithatë, subjektet shqiptare, të të gjitha natyrave, do të duhet të jenë syçelë, të vëmendshëm në çdo kohë, sepse ka shumë shërbime që me mish e me shpirt janë të interesuar, që për qëllime të tyre, t’i fusin shqiptarët në grackë dhe t’i prezantojnë si element destabilizues. Pra, gjasat për montime të reja janë reale dhe pritet vetëm momenti i volitshëm që të thyhet “gota” dhe shqiptarët të bëhen objekt trajtimi i institucioneve ndëshkuese. Sidomos të kihet kujdes që subjektet shqiptare, me apo pavetëdije, të mos bëhen pjesë e këtyre djallëzive, që për autorë kanë njerëzit që qëndrojnë në dimensionet e errësirës dhe te të cilët nuk ka asgjë njerëzore e as kafshërore. Sepse, të gjithë ishim dëshmitarë se si e pësojnë me qindra e qindra shqiptarë të pafajshëm.
S’duhet të lejojmë që, pa pikën e fajit, të na përsëritet e keqja, aq më tepër jo të bëhemi monedhë kusuritjesh të shërbimeve të ndryshme… (koha.mk)