Udhëheqësi i Sektorit për higjienë publike pranë ndërmarrjes komunale, Omer Cami, thekson se vendosja e çmimores për mbeturina inerte dhe teknologjike do të ndikojë pozitivisht në rritjen e të ardhurave të ndërmarrjes publike, por njëkohësisht do të koordinojë edhe sasitë të këtij lloji të mbeturinave
Vjollca SADIKU
Dibër, 12 janar – Në Komunën e Dibrës deri tani në deponinë kryesore në qytet mbeturinat nga familjet, firmat dhe institucionet shkarkoheshin pa pagesë. Por, nga Viti i Ri, për herë të parë ndërmarrja komunale publike do të paguajë për të gjithë mbeturinat inerte nga ndërtimi, mbeturinave nga bujqësia, hortikultura, pylltaria, përgatitja dhe përpunimi i ushqimit, si dhe mbeturinave nga përpunimi i drurit dhe mbeturinave nga gipsi, çimento, gëlqerja, si dhe produkteve të tyre.
Udhëheqësi i Sektorit për higjienë publike pranë ndërmarrjes komunale, Omer Cami, thekson se vendosja e çmimores për mbeturina inerte dhe teknologjike – faktikisht do të ndikojë pozitivisht në rritjen e të ardhurave në ndërmarrjen publike, por njëkohësisht do të koordinojë sasitë të këtij lloji të mbeturinave. Cami ka deklaruar se çmimi që duhet të paguajnë familjet, kompanitë dhe institucionet për të deponuar mbeturinat e këtij lloji në deponinë e qytetit varet nga vet mbeturinat. Ai sqaron se deri tani, ka patur probleme të shumta me mbetjet inerte. Ata hidheshin vend e pa vend dhe punëtorët e ndërmarrjes publike ishin të detyruar që pikërisht këto mbeturina inerte, ti grumbullojnë dhe ti vendosin në deponi. Po ashtu, sipas tij, një problem i madh është edhe grumbullimi dhe vendosja e mbeturinave nga gipsi, çimentoja dhe gëlqerja. Bëhet fjalë për mbeturinat të cilat kanë një afat shumë të gjatë të ekzistencës, por që deri tani – ndërmarrjet që hidhnin këto mbeturina, paguanin një sasi të kufizuar të mjeteve. Në ndërmarrjen komunale poashtu theksojnë se me këtë çmimore, e cila vendoset për herë të parë, faktikisht edhe ata që transportojnë mbeturinat do të jenë të detyruar të bëjnë paraqitjen e tyre dhe vendosjen e mbeturinave në lokacion të veçantë në deponi. Deri sot, mbeturinat në deponinë e Dibrës hidheshin nga qytetarë, kompani… gjë që shkaktonte një huti në vet deponinë.
Këto tarifa morën dritë jeshile edhe nga Këshilli i Komunës Dibër. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, thotë se kjo mënyrë e funksionimit të ndërmarjes dhe deponisë është një arritje serioze dhe do të ketë përfitime materiale nga ana e “Standardit”. Por sipas tij, nevojitet një kontroll më i madh nga inspektorët komunal meqë ka mundësi të ketë tendenca për formimin të mini-deponive të egra në periferi të qytetit me qëllim që të mos paguhet tarifa për hedhjen e mbeturinave në deponi. Ai sqaron se tani deponia është rrethuar, është sanuar dhe ka mundësi që të funksionoj në një kontroll të theksuar. Sipas përfaqësuesve të komunës edhe ndërmarrjes publike, pas kaosit që ishte prezent në deponi, gjatë këtij viti në deponi janë vendosur edhe video kamera, është punësuar një roje dhe deponia është nën kontroll të plotë. Pikërisht këto kushte të deponisë kërkojnë edhe një menaxhim për të grumbulluar mjete nga ana që hedhin mbeturina inerte, bujqësore, mbeturina nga përpunimi i drurit dhe mbeturina teknologjike. (koha.mk)