Shkup, 19 mars – Nga 135 deri në 140 denarë është çmimi blerës i klasit të parë të qengjit të gjallë për festat e Pashkëve, ndërsa tregu italian edhe këtë vit është kërkuesi më i madh, thonë blegtorët.
Ata nuk janë të kënaqur as nga çmimi, as nga hedhja në treg. Presin eksporti i tërësishëm të arrijë maksimum 150.000 krerë që është zvogëlim në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 200.000.
“Edhe këtë vit mishi i qengjit më së shumti kërkohet në tregun italian. Tradicionalisht eksportohet edhe në Kroaci, ndërsa sipas njohurive tona, kërkohen sasi të caktuara edhe në Turqi. Çmimi është i ulët nuk mund t’i mbulojë shpenzimet prodhuese. Në raport të plasmanit, konsiderojmë se ndikojnë dy faktorë: ajo që festa e Pashkëve këtë vit është pak më afër dhe qengjat nuk janë rritur për shitje. Ajo ndikon edhe në çmimin. E dyta, numri i dhenve stagnon, nuk shkon më lart. Çdoherë e më shumë braktisen bagëtitë sepse vështirë mund të gjinden barinj, të gjithë ikin. Krahu i punës së barinjve është shumë i shtrenjtë, nuk gjinden njerëz”, deklaroi kryetari i shoqatës së blegtorëve “Dashi” nga Dibra Skender Ame.
Ame ka pasur 700-800 dhen, por këtë vit fondi i është zvogëluar në 500.
“Italia, por edhe në përgjithësi, vendet e tjera, marrin më pak qengja sepse të rinjtë më nuk duan ushqim tradicional. Vrapojnë pas hamburgerëve, pas ushqimeve të thata. U vjen rëndë të përgatisin. Edhe ajo ndikon në shitjen, e zvogëlon. I njëjtë është rasti edhe me ne, në Maqedoni. Të rinjtë çdoherë e më shpesh e shmangin ushqimin tradicional dhe hanë ushqim të thatë”, konsideron Ame.
Afati përfundimtar për blerje të qengjave për Pashkë në tregun italian është 23 mars sepse nevojiten 10 ditë që të theren dhe të transportohen.