Çmimi i naftës vijon të bjerë, diskutohet ulja e sasive të prodhimit

Çmimi global i naftës ka mbërritur pikën e vet më të ulët në më shumë se një vit. Rënia e kuotimit të arit të zi vazhdon prej shtatë javësh tashmë.

Çmimi i naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është fiksuar në 50,42 dollarë për fuçi, ndërsa në Londër, një fuçi u shit për 58,8 dollarë.

Furnizimi me naftë ka qenë më i madh sesa kërkesa këto muajt e fundit, duke shtuar frikën e një ngopjeje të tregut, ndërsa prodhuesit e mëdhenj po marrin në konsideratë mundësinë e tkurrjes së prodhimit.

Vendet e OPEK-ut pritet të takohen në Vjenë për të diskutuar mbi hapat e ardhshëm që do të hedhin. Ministri saudit ë energjisë, Khalid al-Falih, e ka lënë të kuptohet më parë se një ulje e ndjeshme e prodhimit ishte e nevojshme këtë javë.