ÇMIMI I NAFTËS: Maqedonia e 6-ta më e lira në Evropë 

Kostoja e karburanteve të naftës në shtetet e ndryshme të botës varen, përveç nga luhatjet e çmimit të naftës në bursat botërore, edhe nga subvencionimet e ndryshme, kursi i dollarit, shkallës së tatimit në vlerë të shtuar si dhe taksave të ndryshme që paguhen krahas çmimit themelor të naftës

182

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 22 maj – Qytetarët e Bosnje Hercegovinës dhe Maqedonisë paguajnë çmimin më të lirë të karburanteve në rajon, ndërsa ata në Greqi dhe Shqipëri, paguajnë koston më të lartë të ngasjes së veturës, tregon krahasimi i çmimeve bazuar në faqen e internetit Globalpetrolprices.com, shkruan gazeta KOHA.

Në përgjithësi, kostoja e karburanteve të naftës në shtetet e ndryshme të botës varen, përveç nga luhatjet e çmimit të naftës në bursat botërore, edhe nga subvencionimet e ndryshme, kursi i dollarit, shkallës së Tatimit në vlerë të shtuar si dhe taksave të ndryshme që paguhen krahas çmimit themelor të naftës. Njëherazi, karburantet përbëjnë produktet më të rëndësishme që i nënshtrohen taksës së akcizës në Maqedoni, por edhe shtetet e tjera, andaj edhe janë një burim shumë i rëndësishëm i të ardhurave fiskale për qeverinë, gjegjësisht i mbushjes së buxhetit.

Aktualisht çmimet e karburanteve në Maqedoni janë të përafërta me muajin maj të vitit të kaluar. Prej 16 majit në tregun e Maqedonisë, Eurosuper 95 në pompat anekand shtetit kushton 62 denarë, Eurosuperi 98 – 64 denarë, ndërsa një litër Eurodizel – 47 denarë.

Krahasimi i kostos së benzinave vetëm për muajin maj, tregon se qytetarët e Maqedonisë në dhjetë vitet e kaluara, çmime më të shtrenjta i kanë paguar në maj të vitit 2012, kur Eurosuperi 95 ka kushtuar 82 denarë, Eurosuperi 98 – 84 denarë, ndërsa dizeli – 72 denarë. Në ndërkohë, çmimet më të lira kanë qenë në maj të vitit 2009, kur Eurosuperi 95 dhe 98 kanë kushtuar nga 56 dhe 57 denarë, ndërsa dizeli – 44 denarë. Njëherazi, çmimet rekord të derivateve të naftës në dhjetë vitet e kaluara në Maqedoni kanë qenë të regjistruara në javën e parë të muajit prill të vitit 2012, kur dy llojet e benzinave kanë kushtuar nga 89 dhe 90.5 denarë, ndërsa dizeli – 73.5 denarë. Në ndërkohë, sipas faqes Globalpetrolprices.com, e cila ndjek çmimet mesatare të shitjes me pakicë të benzinës dhe naftës në pothuaj gjithë vendet e botës, Bjellorusia me 0.61 euro për një litër benzinë e ka çmimin më të lirë, ndërsa Islanda me 1.71 euro për një litër e ka çmimin më të shtrenjtë të benzinës në Evropë. Nga shtetet e rajonit, Bosnja me 0.95 euro dhe Maqedonia me 1.01 euro kanë çmimet më të lira të benzinave. Gjithashtu Maqedonia është ndër shtetet e rajonit që ka akcizat më të ulëta për derivatet e naftës që diktojnë edhe çmime më të ulëta përfundimtare të tyre në treg. Sa për krahasim, në Mal të Zi paguhen akcizat prej 0.422 euro cent për litër benzinë, ndërsa në Kroaci paguhet 0.393 euro cent. Elementet përbërëse të strukturës së çmimeve me pakicë të derivateve të naftës në Maqedoni janë çmimi rafinerik i naftës, harxhimi për qarkullimin e derivateve të naftës, gjegjësisht marzha tregtare prej 1.9 deri 3.4 për qind, harxhimi prej 0.50 denarë për litër për transport, kostoja e akcizave që lëvizin prej 16.5 për qind për dizelin ,deri në 24 për qind për benzinat në totalin e çmimit përfundimtar, taksa ekologjike prej 0.3 për qind, kompensimi për rezervat e detyrueshme të naftës si dhe TVSH-ja prej 18 për qind. Nga ana tjetër, çmimin më të shtrenjtë në rajon të benzinave me 1.27 euro për litër e ka Shqipëria. Bile Shqipëria e ka çmimin e përafërt me Kroacinë me 1.26 euro, përkundër fuqisë më të madhe blerëse të konsumatorëve kroatë. Faktori kryesor që ndikon në çmimet e larta të karburanteve në tregun shqiptar janë pagesat e larta ndaj shtetit, për shkak se nga 174 lekë që kushton benzina, të paktën 110 janë taksa shtetërore.

Sipas kreut të Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbure, Luigj Aliaj, përcjell KOHA – janë taksat e larta të vendosura nga të gjitha qeveritë, arsyeja e çmimit të shtrenjtë që konsumatorët shqiptarë paguajnë për naftën dhe benzinën. Sipas tij, aktualisht pjesa më e madhe e shoqërive të karburanteve po dalin me humbje, çka shpjegon në shumë raste edhe përzierjet që i bëhen karburantit. Ndryshe, çmimi mesatar i benzinës në botë për litër është 1.03 dollarë, por ekzistojnë dallime të caktuara lidhur me çmimet në tregjet e caktuara. Shtetet e pasura në parim kanë çmime më të larta, ndërsa ato më të varfra dhe shtetet prodhuese kanë çmime më të ulëta. Përjashtim bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë shtet shumë i zhvilluara ekonomikisht, por edhe kanë çmime të ulëta të benzinës prej 0.69 dollarë për litër, falë prodhimit vendor të naftës. Vetëm në nivel botëror, çmimin më të lirë të benzinës e ka Arabia Saudite me 0.24 dollarë për litër, ndërsa çmimin më të shtrenjtë të botës të benzinës e ka Hong Kongu me 1.90 dollarë për litër.

Kostoja e benzinës në Evropë për litër

Bjellorusi- 0.61 euro

Rusi- 0.63 euro

Ukraina – 0.86 euro

Bosnja- 0.95 euro

Maqedonia- 1.01 euro

Rumania- 1.03 euro

Bullgaria- 1.04 euro

Luksemburgu – 1.13 euro

Çekia- 1.14 euro

Austria-1.17 euro

Serbia- 1.18 euro

Spanja- 1.20 euro

Sllovenia-1.26 euro

Kroacia-1.26 euro

Shqipëria-1.27 euro

Zvicra-1.30 euro

Turqia- 1.32 euro

Gjermania-1.34 euro

Greqia – 1.52 euro

Italia- 1.54 euro

Holanda- 1.54 euro

Islanda- 1.71 euro

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

 

Comments are closed.