Me futjen edhe të këtyre tre fshatrave të Malësisë së Sharrit në sistemin e grumbullimit të mbeturinave, pritet që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi i deponive të egra, që krijohen në disa vende të Malësisë nga hedhja e mbeturinave si pasojë e mos grumbullimit të tyre
Urim HASIPI
Tetovë, 8 prill – Komuna e Tetovës deri më tani ka arritur që 80 për qind të Malësisë së Sharrit të fusë në sistemin e grumbullimit të mbeturinave, por një pjesë tjetër ende jo. Bëhet fjalë për fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë, të cilat së shpejti pritet që edhe ato të futen në sistem. Ndërmarrja Publike Komunale Tetova – Tetovë, e cila realizon grumbullimin e mbeturinave në qytetin e Tetovës dhe fshatrat përreth, së fundmi është furnizuar me makineri shtesë, të cilat janë të dedikuara pikërisht grumbullimin e mbeturinave në Malësinë e Sharrit, shkruan gazeta KOHA.
Banorët e këtyre vendbanimeve kohë më parë kishin mirëpritur këtë iniciativë, mirëpo ata nuk ishin pajtuar me çmimin prej 300 denarëve që sipas tyre ishte shumë i lartë. Megjithatë, në lidhje me këtë, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, Xhelal Ceka, thotë që çmimi është caktuar nga këshilli komunal dhe është një çmim i arsyeshëm marrë parasysh shpenzimet e transportit, që janë shpenzime shumë më të mëdha për ndërmarrjen.
“Malësia e Tetovës respektivisht këto tri fshatra janë jashtë sistemit dhe pikërisht makineria e cila është blerë tash, është për këto fshatra. Çmimi është i caktuar prej këshillit komunal dhe vlen për të gjitha fshatrat. Ne nuk kemi ndryshuar çmimet, por edhe nëse i llogarisim shpenzimet e ndërmarrjes, janë shumë më të larta dhe mundohemi që të mbajmë një çmim të lirë si për të gjitha vendbanimet, duke përfshirë këtu Reçicën, Porojin dhe Xhepçishtin”, theksoi Ceka. Sipas tij, ky aktivitet ka filluar që në vitin 2016 dhe pritet që të përfundojnë me sukses që tërë fshatrat të jenë nën ombrellën e NPK-së.
“Ne praktikojmë grumbullimin e mbeturinave një herë në javë, ndërsa sa i përket pagesës në bashkëbisedim më bashkësitë lokale të këtyre fshatrave, ne ishim dakorduar që gjatë periudhës sa ishte vendosja e kontejnerëve edhe grumbullimi të jetë falas. Dhe që atëherë ne bartim mbeturina, përveç kur ka kushte të rënda klimatike. Shpresojmë që të tejkalohen problemet edhe me këto fshatra, dhe të fillohet me grumbullimin normal, pasi që kemi edhe makineri adekuate”, tha drejtori Ceka. Me futjen edhe të këtyre tri fshatrave të Malësisë së Sharrit në sistemin e grumbullimit të mbeturinave, pritet që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi i deponive të egra që krijohen në disa vende të Malësisë nga hedhja e mbeturinave si pasojë e mos grumbullimit të tyre.
Rreth dhjetë vendbanime që gjenden në Malësinë e Tetovës, asnjëherë nuk kanë qenë në sistemin e kësaj ndërmarrje për grumbullimin e mbeturinave. Kështu, këto fshatra kanë hedhur mbeturinat në deponi të ndryshme të egra vite me radhë, ndërsa pritet që tash e tutje në këto fshatra të funksionojë Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, e cila tashmë edhe grumbullon mbeturinat. Banorët, në disa raste, mbeturinat i hedhin edhe përreth lumenjve apo në vende sidomos në rrugën për në Banjën e Tetovës dhe fshatin Sellcë. Autoritetet e Komunës së Tetovës thonë se vazhdimisht pastrojnë mini deponitë në këto zona. “Në rrugët që shpijnë për në fshatrat e Malësisë, ne vazhdimisht pastrojmë deponi të egra, por duhet që edhe banorët të jenë më të kujdesshëm se ku i hedhin ato. Ne, deri më tani jemi angazhuar në pastrimin e këtyre mini deponive, por në qoftë se paraqitet edhe ndonjë mini deponi, ne do të ndërmarrim aktivitete për pastrim”, sqarojnë nga NPK.-ja. (koha.mk)