Ndërsa për çmimet e tjera, duke filluar nga “23 Tetori”, “Nënë Tereza”, “11 Tetori”, “Shën Klimenti i Ohrit”, “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” konkurset nuk janë shpallur që nga viti 2016, 2018, 2019 e me radhë nga Ministria e Kulturës. Pa komision ka mbetur edhe çmimi më i ri që i është shtuar listës së çmimeve shtetërore nga sfera e kulturës – Meto Jovanovski
Evis HALILI
Shkup, 5 qershor – Skadimi njëri pas tjetrit i mandateve të anëtarëve të Komisioneve ka pezulluar pa afat dhënien e çmimeve shtetërore për disa vite rresht. “22 Nëntori” ishte çmimi i vetëm që u akordua vitin e kaluar, një javë përpara skadimit të mandatit të komisionit. Ndërsa për çmimet e tjera, duke filluar nga “23 Tetori”, “Nënë Tereza”, “11 Tetori”, “Shën Klimenti i Ohrit” , “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” konkurset nuk janë shpallur që nga viti 2016, 2018, 2019 e me radhë nga Ministria e Kulturës. Pa komision ka mbetur edhe çmimi më i ri që i është shtuar listës së çmimeve shtetërore nga sfera e kulturës – Meto Jovanovski. Nga sektori i Çmimeve shtetërore në Ministrinë e Kulturës thonë se shpallja e konkurseve është shtyrë vazhdimisht në pritje të formimit të komisioneve nga ana e Komisionit parlamentar të zgjedhjeve dhe emërimeve. Nga ky i fundit nuk japin ndonjë informacion se kur do të shqyrtohet çështja e emërimit të anëtarëve të rinj.
“Ne presim nga Parlamenti që të formojë komisionet, pasi për momentin asnjë prej tyre nuk ka mandat. Kjo është arsyeja që këtë vit nuk është shpallur asnjë konkurs deri tani”, sqarojnë nga sektori i çmimeve shtetërore. Çmimi “Nënë Tereza” (23 gusht) u nda për herë të fundit në vitin 2018 dhe fituesit e tij ishin – piktori Omer Kaleshi dhe Lençe Zdravkin. Çmimi “11 Tetori” u nda për herë të fundit në vitin 2019 për tre artistë maqedonas. Çmimi “23 Tetori” i u nda në vitin 2016 për pesë personalitete, mes të cilëve edhe dy shqiptarë- Rexhai Iseni dhe Agim Poploska. Edhe çmimi “Shën Klimenti i Ohrit” është denarë për herë të fundit në vitin 2018 për pesë personalitete nga fusha të ndryshme. Ndarja e çmimit për arritje në publicistikë “Mito Haxhi Vasiliev” për herë të fundit u bë në vitin 2018 ( dy fitues), ndërsa një vit më vonë kur komisioni u mblodh për herë të fundit për asnjë prej kandidatëve nuk arriti shumicën e domosdoshme të votave për t’u shpallur fitues. Çmimi “22 Nëntori”, jepet prej dy vitesh, fituesit e fundit ishin Xhevat Lloshi dhe Ali Aliu (vitin e kaluar).
Çmimi më i rëndësishëm (sipas shumës që shoqëron çmimin dhe të ardhurat në formë pensioni që fituesi i merr gjatë të gjithë jetës) mbetet çmimi “11 Tetori” – Dita e kryengritjes së popullit maqedonas, që nënkupton mirënjohjen më të lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë si dhe në veprimtari të tjera me interes publik. Brenda një viti mund të ndahen deri në pesë çmime, në vlerë prej 15 pagash mujore mesatare. Ky çmim renditet i pari dhe është ndarë në vitin 1959. I dyti (në 1969) është “Shën Klimenti i Ohrit”, me motivacion të ngjashëm ashtu si edhe “11 Tetori” , i kategorizuar në grupin e çmimeve përfitimet e të cilit janë të mëdha, dhjetë paga mujore mesatare dhe që për herë të parë është ndarë në vitin 2007. Më pak të rëndësishme janë “Nënë Tereza”, së bashku me “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” dhe çmimin “22 nëntori” qëndrojnë të fundit (shpërblimi i barabartë me pesë paga mesatare mujore.
Çmimi “11 Tetori” u nda për herë të fundit në vitin 2019
Çmimi “23 Tetori” i u nda në vitin 2016
“Shën Klimenti i Ohrit” u nda për herë të fundit në vitin 2018
“Mito Haxhi Vasiliev” u zhvillua për herë të fundit në vitin 2019 (pa fitues)
Çmimi “Nënë Tereza” u nda për herë të fundit në vitin 2018
Çmimi “22 Nëntori” u nda për herë të fundit në vitin 2020.
(koha.mk)