Çmimet e banesave në Shkup, këtë vit do të mbesin stabile, por, përderisa vazhdon ngadalësimi i aktiviteteve ndërtimore pritet rritje e çmimit të hapësirës banesore në plan afatmesëm. Këtë e theksoi Vllatko Bogoevski, drejtor ekzekutiv i “Fortonmka”, kompani konsultuese për patundshmëri komerciale, në prezantimin e sotëm të lëvizjeve të tregut të patundshmërive për vitin e kaluar, si dhe pritjet për vitin e ardhshëm.
Bogoevski ka informuar se në territorin e qytetit të Shkupit, gjatë vitit 2018 janë dhënë 4.219 leje për ndërtim të njësive banesore, prej të cilave numri më i madh 1.380 janë dhënë nga komuna Aerodrom, pas së cilës vijon komuna e Qendrës me 1.072 leje për ndërtim.
“Sa i përket segmentit banesor, neto çmimi mesatar për metër katror në Shkup është më i lartë në komunën e Qendrës dhe arrin 1.062 euro në metër katror, ndërsa pastaj në komunën Karposh, 1.022 euro për metër katror. Më të kërkuara janë njësitë banesore me madhësi më të vogël, prej 36 deri në 52 metra katror, përkatësisht me madhësi prej 53 dhe 67 metra katror”, tha Bogoevski.
Nga kompania, tregun e hapësirës së zyrave e konsiderojnë stabil. Thonë se projektet e reja, që priten në vitin 2019 do ta rrisin ofertën e tërësishme të hapësirës së zyrave pothuajse për nëntë për qind, përkatësisht për 24.000 metra katror, por konsiderojnë se nuk do të ketë ndryshim të vlerës së qirave.
Paralajmëruan se projekt më i madh në shtet dhe “new generation mall” do të jetë Skopje east gate, me neto sipërfaqe për qira prej 52.000 metra katror, që do të ndërtohet kah fundi i vitit 2020, ndërsa do të ofrojë hapësirë moderne të zyrave.
Tregu i hapësirës industriale është mes atyre me rritje më të madhe në industri. Numri më i madh i investimeve në hapësirën industriale, siç thonë nga kompania, janë koncentruar në zonat industriale rreth kryeqytetit të Shkupit.(koha.mk)