Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shkurt – Uniformat verore të punës me çmime prej 424 deri 2773 denarë që blihen nga ndërmarrjet komunale me luhatje të çmimeve prej 554 për qind nga kostoja më e lirë deri tek kostoja më e shtrenjtë. Uniformat dimërore të punës me çmime prej 1124 deri 4602 denarë me çka – çmimi më lartë është për bile 309 për qind se çmimi më i ulët. Nallanet e punës me çmime prej 718 deri 2183 denarë ku çmimi më i lartë është për 204 për qind më i lartë se çmimi më i ulët. Këto janë vetëm disa nga çmimet e palogjikshme në një ekonomi tregu të realizuara nga disa prej ndërmarrjeve komunale dhe foshnjoreve në Maqedoni, tregon raporti i fundit i Qendrës për Komunikime qytetare “Indeksi i racionalitetit 17”, që në mënyrë të rregullt përcjell tenderët apo prokurorimet publike në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Sipas raportit që ka krahasuar çmimet edhe të furnizimeve të tjera – mirëmbajtja e hapësirave ju ka kushtuar institucioneve shtetërore prej 30 deri 103 denarë për një metër katror në muaj, me ç’rast çmimi më i lartë është për 243 për qind më i lartë se çmimi më i ulët. Nga ana tjetër, çmime absurde janë shënuar edhe në sistemin shëndetësor. Sipas analizës, sistemet e infuzionit që janë blerë nga ana e enteve shëndetësore lëvizin me çmimin prej 5.78 deri 9.98 denarë me çka çmimi më i lartë është për 73 për qind në raport me çmimin më të ulët.
Indeksi i racionalitetit përgatitet në bazë të krahasimit të çmimeve që paraprakisht institucione të ndryshme blejnë prodhime dhe shërbime të njëjta. Fakti se indeksi përfshin të njëjtin prodhim apo shërbim ofron mundësinë përveç për krahasimin e çmimeve, të paraqesë edhe raportin e ndryshëm të institucioneve shtetërore ndaj realizimit të llojeve të njëjta të furnizimeve publike.
“Duke marrë parasysh se në të gjitha indekset e çmimeve në këtë edicion është konstatuar rritje e dallimeve në çmime, mund të vlerësohet se konfirmohen njohuritë se realizimi i procedurave për furnizime publike në bazë të Ligjit për furnizime publike, nuk paraqet garanci vetvetiu për fitimin e kushteve më të mira në treg për furnizimin me prodhim apo shërbim të caktuar .Këtë konstatim e konfirmojnë edhe njohuritë se dallimet nuk mund të shpjegohen me zbatimin e procedurave për furnizime publike, kriterin për zgjidhje apo sasitë e blera, thekson analiza e Qendrës për Komunikime qytetare. Andaj udhëzohet për një konkurrencë më të madhe në realizimin e tenderëve të ndryshëm në Maqedoni”, thekson analiza e Qendrës për Komunikime qytetare.
Raporti thekson se nevojitet të stimulohet konkurrenca në furnizimet publike për të fituar për paratë e harxhuara vlerën më të mirë të mundshme. Gjithashtu, palët kontraktuese duhet këtë indeks ta shohin si instrument të dobishëm për shkak se tregu i furnizimeve publike në shtet akoma nuk garanton harxhim racional dhe efikas të parave publike ku ekzistojnë më shumë sfida që duhet të tejkalohen. Përkundër realizimit të gjitha furnizimeve në bazë të Ligjit për furnizime publike, kriterit të shfrytëzuar për çmim më të ulët në të gjitha furnizimet dhe mungesës së ndikimit të sasive të blera ndaj çmimeve individuale të shërbimeve apo prodhimeve akoma ka probleme me harxhimin racional të parave publike apo të popullit.
Sipas Indeksit të 17-të racionalitetit, dallimi i vetëm ndër institucionet që paguajnë çmimet më të larta dhe më të ulëta është mbajtja e ankandit elektronik vetëm në rastet ku ka pasur së paku dy ofertues. Andaj në të gjitha procedurat ku ka pasur vetëm një ofertues, marrëveshjet janë nënshkruar me çmimet e fundit që ka ofruar ofertuesi i vetëm që shpesh kanë qenë edhe më të lartat në këtë analizë. Ndryshe, në përgatitjen e këtij raporti janë marrë parasysh tenderët e 48 institucioneve nacionale dhe lokale që kanë realizuar 53 tenderë në vitet 2016 dhe 2017. (koha.mk)