Përqindja e qytetarëve që posedojnë vetura personale po rritet çdo vit e më shumë. Shumica e automjeteve të importuara tashmë janë të përdorura, me dhjetëra mijëra kilometra dhe motorë kryesisht me standarde nën EURO 5, të cilët ndotin ajrin
Arbër KADRIU
Shkup, 18 prill – Numri i automjeteve të importuara nga vendi është rritur ndjeshëm vitin e kaluar. Të dhënat e Drejtorisë Doganore tregojnë se nga janari deri në nëntor 2021, në vend janë importuar gjithsej 40.326 automjete, duke përfshirë vetura, autobusë, mikrobusë dhe automjete të mallrave. Informacioni i përgjithshëm për gjithë vitin e kaluar nuk është publikuar, por shifrat ekzistuese tregojnë se numri i automjeteve të importuara vitin e kaluar është rritur për mbi 8000 automjete krahasuar me vitin 2020. Përqindja e qytetarëve që posedojnë vetura personale po rritet çdo vit. Me kalimin e viteve, shumica e këtyre automjeteve të importuara tashmë janë përdorur, me qindra mijëra kilometra dhe motorë kryesisht me standarde emetimi nën EURO 5, të cilët ndotin ajrin. Kështu, nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, në vend janë importuar gjithsej 36.740 vetura, nga të cilat 31.433 janë të vjetra, ndërsa 5.307 kanë hyrë të reja. E shprehur në përqindje, mbi 85% e makinave që janë importuar në vend vitin e kaluar – janë të vjetra. Kjo përqindje është ruajtur prej vitesh, duke filluar nga viti 2010 kur u lehtësua importi i automjeteve të përdorura në vend.
Kohë më parë, nga Ministria e Ekonomisë thanë se gjatë këtij viti do të ndalohet importi i automjeteve të përdorura me standarde të emetimit nën EURO 5. Kjo vjen pasi kjo masë nuk u zbatua vitin e kaluar, ndonëse ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi e kishte premtuar në janar 2021. Vendimin përfundimtar për ndryshimin e nivelit të shkarkimeve për automjetet e importuara duhet ta marrë Qeveria e RMV-së.
Ndryshe, shtrëngimi i kushteve për import të automjeteve të përdorura nga jashtë është një nga masat për zbutjen e ndikimit të transportit rrugor në ndotjen e ajrit. Dy masa të tjera që u premtuan gjithashtu nga Qeveria për t’u zbatuar në nivel kombëtar janë vendosja e taksës mjedisore për produktet e naftës, por edhe për etiketat mjedisore për automjetet që qarkullojnë në rrugë. Sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vendosja e taksës mjedisore e shpallur më 1 korrik të vitit të kaluar është ende në procedurë parlamentare, pasi është pjesë e projektligjit për ndryshimin e ligjit mbi mjedisin jetësor. “Sa i përket tarifave mjedisore, propozimi nuk nënkupton pranim dhe vendimi mbetet tek deputetët, të cilët e kanë fjalën e fundit”, thonë nga Ministria e Mjedisit. Ndërkaq, çmimi i derivateve të naftës aktualisht ka arritur nivelin rekord në vend, ku çmimi i benzinës është mbi 80 denarë për litër, ndërsa vlera e naftës në pompat e benzinës tejkalon 70 denarë për litër. Këto janë çmimet më të larta të regjistruara në periudhën nga viti 2012, kur çmimi benzinës Eurosuper BS-95 atëherë arriti në 88.5 denarë. (koha.mk)