Çmime më të lira për biseda dhe mesazhe

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 29 dhjetor – Konsumatorët në Maqedoni prej një korrikut të këtij viti shfrytëzojnë tarifa më të lira të roamingut me Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën dhe anasjelltas, shkruan gazeta KOHA. Një minutë bisedë në roaming paguhet 11.6 denarë, për SMS mesazhet paguhet 3.7 denarë, ndërsa për megabajt internet paguhet 12.3 denarë. Kjo ishte ulja e tretë dhe e fundit e çmimit të roamingut celular, e parashikuar me marrëveshjen e nënshkruar midis katër shteteve të rajonit. Marrëveshje u arrit, me qëllim që të lirohen çmimet e roamingut në rajon që ishin shumë më të larta se çmimet në shtetet e Bashkimit Evropian. Në vitet e kaluara, sipas Agjencisë së Komunikimeve Elektronike të Maqedonisë, edhe pse të ftuara të nënshkruajnë një bashkëpunim të tillë për uljen e roamingut, në të nuk kanë marrë pjesë trupat rregullatorë të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në ndërkohë, përfaqësuesit bullgar në Bruksel kanë paralajmëruar uljen e mëtejshme të bisedave të ndërsjella në rajon për të gjitha shtetet. “Angazhohem në idenë për uljen e tarifave për roamingun për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Tani është momenti. Kjo paraqet mundësi për Ballkanin, për BE-në dhe për Bullgarinë, e cila po ndërmerr kryesinë e Këshillit të Evropës në janar të vitit 2018”, deklaroi para disa javësh Komisarja evropiane për digjitalizim, bullgarja, Marija Gabriel, në takimin e punës në Bruksel me deputetët e gjashtë shteteve ballkanike, ndër të cilat ishte edhe Maqedonia.
Në ndërkohë, qeveritë e Maqedonisë dhe Bullgarisë, në muajin e kaluar në Strumicë nënshkruan memorandum për uljen e tarifave ndërkombëtare për roming në shërbimet e telekomunikacionit. Dokumenti mundëson që trupat rregullator të të dyja shteteve të fillojnë procedurë, me të cilën do ti nxisin operatorët të nënshkruajnë marrëveshje për çmime më të lira për biseda , mesazhe dhe internet në roaming.
Portali EurAktiv bëri të ditur muajin e kaluar se komisarja Gabriel, në samitin BE-Ballkani Perëndimor, në maj të vitit 2018 në Sofje, do të publikojë planin për anulimin e roamingut ndërmjet BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pritet të paraqiten një sërë masash për zgjerimin e ndalesës për pagesë të roamingut të BE-së me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën, ndërsa në këtë çështje punojnë një ekip juridik i Komisionit Evropian. Nuk bëhet e ditur se sa kohë do të duhet të kalojë përderisa të hyjë në fuqi marrëveshja për anulimin e roamingut ndërmjet BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Nga Ministria e Jashtme bullgare kanë kumtuar se Bullgaria, pas Maqedonisë dhe Serbisë, negocion për nënshkrimin e roamingut edhe me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Nga ana tjetër, bashkëngjitje e nismave rajonale për uljen e bisedave të ndërsjella në Ballkanin Perëndimor ka paralajmëruar edhe Shqipëria. Koordinatorja kombëtare për krijimin e zonës ekonomike rajonale ballkanike, Milena Harito, thotë se ekziston një nismë konkrete në këtë drejtim për eliminimin e tarifave roaming ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Bashkimi Evropian nuk ka më tarifa suplementare, pra roaming është njëlloj si komunikimet brenda çdo shteti. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë për gjashtë vendet e Ballkanit. Sipas konstatimit tonë, pjesa më e madhe e trafikut të operatorëve është midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit. Impakti nëse ne heqim tarifat e roamingut për vendet e rajonit nuk është shumë i lartë për operatorët, gjë që është normale. Qëllimi nuk është të dëmtohen operatorët, përkundrazi ata e zhvillojnë tregun. Por, qëllimi është që çdo njeri nga Shqipëria që shkon në Kosovë, apo çdo kosovar që vjen në Shqipëri, çdo serb që shkon në Mal të Zi të mos paguajë tarifë suplementare nga ajo që paguan kur është në vend të tij. Secili vend duhet të bëjë ndryshimet e veta dhe pastaj të gjashta vendet të bëjnë marrëveshje bilaterale për të ulur tarifat e roamingut”, thekson Harito. Sipas saj, objektivi është miratimi i ligjit në Shqipëri brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2018. Ndryshe, ulja e çmimeve të roamingut, përveç që mbështet komunikacionin në të gjitha nivelet në rajonin midis qytetarëve dhe kompanive, është i imponuar edhe nga përdorimi masovik i qytetarëve të aplikacioneve të ndryshme si Fejsbuk, Vatsap, Vajber apo Mesenxher, për të cilat nevojitet vetëm internet falas, i cili nuk mungon në hapësirat publike të shteteve të ndryshme. (koha.mk)