Gostivar, 29 nëntor – Në organizim të Shoqatës së Artistëve të Artit Figurativ “Draudacum”, me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit, në Gostivar u mbajt edicioni i 11 i ekspozitës mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”, shkruan gazeta KOHA. Nga juria profesionale u vendos që “Çmim i Nëntorit”, t’i takoi artistit nga Kumanova, Rexhai Hyseni. Skender Idrizi nga Mitrovica fitoi çmimin për pikturë, ndërsa Shkurta Haxhiu çmimin për grafikë.Kryetari i Shoqatës “Draudacum”, Reshat Ameti theksoi se Komuna e Gostivarit, por edhe Ministria e Kulturës, tashmë disa vite po i japin mbështetje jetës kulturore në qytetin e Gostivarit, dhe me theks të veçantë aktiviteteve të kësaj shoqate, për çka, shprehu mirënjohje publike. “Ekspozita e radhës e shoqatës, e cila është tradicionale – ‘Çmimi i Nëntorit’ vazhdon edhe më tej të jetë ndër ekspozitat më cilësore të organizuara në këto treva kulturore. Në këtë ekspozitë defilojnë artistë të rëndësishëm të kohës dhe me relevancë artistike, ndërsa këtë e argumenton edhe prezenca e veprave të emrave të rëndësishëm dhe të dëshmuar me cilësi vendore dhe botërore të artit figurativ shqiptar.Idetë artistike, motivet dhe mesazhet estetike filozofike, janë të ndryshme duke filluar nga realja, asociativja dhe deri tek abstraksioni dhe janë zgjedhje individuale që e iniciojnë artistin që të shprehet. Pra, prezantohen vepra me stile të ndryshme, filozofi të pasur krijuese, laramani në koncept etj. E gjithë kjo, e pasqyron realitetin dhe zhvillimin tonë artistik në lëmin e artit figurativ, gjë që nuk është larg nga nivelet tjera artistike në botë. Artistët shqiptarë janë kreativ, me ego të theksuar, krijues me vullnet të fuqishëm për të qenë në hap me kohën, por edhe të jenë udhëheqës në rrugëtimet artistike”, tha Ameti. Interesi kaq i madh i artistëve nga të gjitha trevat kulturore shqiptare, tha ai, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, dëshmon se kjo shoqatë është rritur dhe është formuar si epiqendër е artistëve shqiptarë, fortesë ku kultivohet dhe zhvillohet arti pamor, strehimore e vlerave të dëshmuarа, por edhe mundësi për artistët e rinj të cilët shkëndijat artistike kanë filluar t’i rrezatojnë nga kjo shoqatë, po ashtu edhe rritjen e tyre individuale. Ndryshe, veprat që prezantohen në këtë ekspozitë janë nga artistë të të gjitha hapësirave kulturore shqiptare: Maqedonia, Kosova, Shqipëria, si dhe nga diaspora. (koha.mk)