Çmenduritë që ndodhën në merkaton e futbollit gjatë verës që lamë pas nuk mund të kalonin vetëm me disa ankesa klubesh. Mjafton të kujtoni që PSG-ja bleu brazilianin Neymar për 222 milionë euro! Kjo çështje ka alarmuar edhe politikën.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka shprehur shqetësimin e saj për shifrat e larta që po qarkullojnë në sportin më popullor në botë. “Këto zhvillime financiare i shoh po aq kritike sa shumë njerëz të tjerë. Shifra të tilla nuk mund të kuptohen për asnjë qenie njerëzore”, – ka deklaruar ajo në “Mittelbayerische Zeitung”.
“FIFA dhe UEFA duhet të ndryshojnë rregullat, në mënyrë që të sigurohet një ekuilibër më i madh sportiv, përndryshe gjërat do të përkeqësohen”, – ka shtuar 63-vjeçarja.
Klubi i cili është shfaqur shumë kritik për gjendjen aktuale të tregut të transferimeve është Bayern München. Shefi ekzekutiv i bavarezëve, Karl-Heinz Rummenigge, një frymëzues i madh i reformave në futboll, ka bërë thirrje për ndërhyrje.