Arabia Saudite po planifikon të ndërtojë një qytet-shtet të ri ndërkufitar, të qeverisur nga ligje perëndimore, si pjesë e strategjisë së saj afatgjatë për t’u bërë një qendër globale për ngjarje sportive të klasit botëror. Element kryesor në projektin e Mbretërisë, “Vizioni 2030”, është pikërisht zbatimi i ligjeve perëndimore në qytetin e ri Neom, që është një projekt prej 400 miliardë paundësh në veriperëndim të vendit, afër Detit të Kuq.
Qyteti i ri do të fitojë të drejtën për të organizuar më shumë ngjarje globale sportive, të ngjashëm me duelin e së shtunës, për peshat e rënda na boks, mes Anthony Joshua dhe Andy Ruiz Jnr, në Rijad.
Qeveria Saudite mësohet se ka rekrutuar ekspertë të shumtë të çështjeve publike nga e gjithë bota, përfshirë disa nga Britania, për të hartuar një projekt që u ideua për herë të parë nga Princi i Kurorës Saudite, Mohamed Bin Salman, dy vjet më parë.
Qyteti i ri do të funksionojë në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e vendit, me ligje të ndryshme për punëtorët dhe për të drejtat e grave, si dhe duke u dhënë më shumë liri vizitorëve, siç është e drejta e pirjes së alkoolit, që tifozëve të boksit iu mohohet këtë fundjavë.
Arabia Saudite është kritikuar shpesh nga organizatat e të drejtave të njeriut, si Amnesty International, për përpjekjen e saj për të pastruar imazhin nëpërmjet organizimit të eventeve të mëdha sportive, siç është përplasja e së shtunës në boks. Kujtojmë që në Arabinë Sauditë është vendosur të zhvillohet Superkupa e Spanjës dhe ajo e Italisë.
Kanali shtetëror spanjoll RTVE po refuzon transmetimin e Superkupës së Spanjës, që do të zhvillohet në janar në Jeddah. Federata Spanjolle e Futbollit, për të siguruar sa më shumë të ardhura nga ky aktivitet, ka ndryshuar edhe formatin, duke e zgjeruar me 4 skuadra pjesëmarrëse: Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid dhe Valencia. Amnisty International pretendon se dueli i boksit Joshua-Ruiz zhvillohet në një sfond të zymtë e në një vend ku ka pasur 146 ekzekutime këtë vit.
Sidoqoftë, qeveria saudite nuk ka plan të heqë dorë nga programi i saj ambicioz për të rritur industrinë e turizmit në 10 për qind të ekonomisë kombëtare deri në vitin 2030. Kjo strategji do ta ndihmonte për të zvogëluar varësinë e vendit nga shitja e naftës.
Një numër i konsiderueshëm ngjarjesh madhore do të zhvillohen për herë të parë në këtë vend vitin e ardhshëm, përfshirë një tur prej pesë etapash në çiklizëm apo Kupa Suadite e garave me kuaj, me një fond shpërblimesh prej 15 milionë paundësh.