Real Madrid po planifikon të bëjë një blerje të madhe verën e ardhshme, duke i “rrëmbyer” skuadrës së Manchester United sulmuesin francez Anthony Martial. Për të bërë të mundur këtë transferim skuadra madrilene është gati të ofrojë 90 milionë euro dhe t’i orojë një vend si titullar, gjë që Martial nuk e ka asnjëherë të sigurt te skuadra e “djajve të kuq”. Martial është një sulmues i dytë i përkryer për skuadrën madrilene dhe për këtë është i bindur trajneri Zinedine Zidane, që beson se 21-vjeçari do të jetë ylli i ardhshëm i futbollit botëror dhe do të shkëlqejë në “Santiago Bernabeu”.
Real Madrid po bëhet një ekip i “plakur”, pasi Ronaldo në shkurt mbush 33 vjeç, Benzema bën 30 muajin e ardhshëm e Modric 32, ndërsa Bale po dëmtohet shpesh, duke mos i dhënë mundësi trajnerit Zidane të ketë një ekip me perspektivë. Ndaj trajneri francez kërkon të injektojë “gjak të ri” në skuadër dhe Martial mund të hapë një faqe të re në historinë e këtij klubi. Francezi nuk ka një marrëdhënie të shkëlqyer me trajnerin Jose Mourinho, që shpesh e lë në stol dhe e aktivizon në minutat e fundit, me Martial që është gjithnjë gati. Këtë sezon ai ka realizuar 7 gola në 18 ndeshje, duke qenë vendimtar në disa takime për Manchester United.