Ish-kapiteni i Rusisë, Roman Shirokov, bëri për spital një gjyqtar të ligës amatore, pasi nuk iu dha penallti në “Celebrity Cup”. Duke luajtur për “Match TV”, kanalin televiziv për të cilin punon si analist, në turneun e Moskës, Shirokov u zemërua kur thirrjet e tij për penallti u hodhën poshtë dhe u kundërshtuan nga gjyqtari.
Protestat e tij nuk kaluan pa u vënë re nga gjyqtari Nikita Danchenko, i cili ërshëlleu para se ti afrohej për ta ndëshkuar. Sipas “Mirror”, një dëshmitar okular, që e ka dëgjuar Shirokov, tregoi kërcënimin e ish-kapitenit të Rusisë për gjyqtarin: “Nëse tregon kartonin e kuq, unë do të të jap një grusht që ta mbash mend gjatë”.
Danchenko guxoi dhe nxori kartonin e kuq , teksa Shirokov e qëlloi me grusht në fytyrë, para se ta godiste vazhdimisht në stomak, derisa gjyqtari ra përtokë. Lojtarët e ekipit kundërshtar menjëherë e tërhoqën Shirokov, por dëmi ishte bërë. Danchenko zbuloi përmes Instagramit se kishte kaluar katër orë në spital, duke i trajtuar plagët: “Kam kaluar deri në katër orë e gjysmë në spital, pastaj 15-20 minuta të tjera në dhomën e urgjencës. Kam qepje kudo, bëra një mori ekzaminimesh. Dhe më e rëndësishmja, gjithçka duket se është mirë për mua”.
Shirakov, i cili ka luajtur 57 ndeshje për Rusinë, është pezulluar nga “Match TV” si analist dhe ka kërkuar falje përmes rrjeteve sociale:
“Do të doja t’i kërkoja falje të sinqerta Nikitës për një veprim të tillë të papërshtatshëm, të kryer nga unë. Jam i vetëdijshëm që mosakordimi i një penalltie të dukshme dhe pastaj kartoni i kuq nuk mund të jetë arsye për të përdorur duart. Shpresoj që Nikita të bëhet mirë sa më shpejt të jetë e mundur. Unë, gjithashtu, dua t’iu kërkoj falje organizatorëve të turneut, shokëve të mi të skuadrës, “Match TV” dhe shikuesve. Ajo që nuk të vret, do të të bëjë më të fortë, siç thonë njerëzit. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë më tej dhe të punojmë. Dua t’i falënderoj të gjithë për fjalët e mbështetjes, ky është një moment i vështirë për mua dhe të dashurit e mi”.
Here's what former Russia star Roman Shirokov did to a referee in the yesterday's amateur league match after not being awarded a penalty he thought he earned. pic.twitter.com/tkSGHVBNo0
— Artur Petrosyan (@arturpetrosyan) August 11, 2020