Beograd, 21 nëntor -Zëvendëskryeministri serb dhe ministër i Tregtisë, Rasim Ljajiq deklaroi sot se vendimi i Prishtinës për t’i rritur taksat e prodhimeve nga Serbia për 100 për qind paraqet parandalim dhe ndërprerje të tregtisë mes Kosovës dhe Serbisë dhe tërësisht është vendim politik i cili do të ketë pasoja të mëdha negative.
Ljajiq konsideron se ekzistojnë dy arsye për vendimin e tillë, e ato janë votimi i djeshëm në Interpol dhe fakti se komuniteti ndërkombëtar nuk ka reaguar ashpër dhe me kohë ndaj barrierave të deritanishme jashtëdoganore, të cilat janë vendosur nga ana e Prishtinës.
“Pasojat gjithsesi janë të mëdha, para së gjithash ekonomike. Kjo do të thotë ndërprerje definitive e çfarëdo lloji të tregtisë mes Serbisë dhe Kosovës”, theksoi Ljajiq.
Ai tha se nuk ekziston një prodhues i tillë nga Serbia që mund të jetë konkurrues me taksa, tatime dhe dogana aq të larta të cilat vendosen.
Kryetari i “Listës serbe”, Goran Rakiq, ndërkaq theksoi se Prishtina, me masat më të reja ka për qëllim ta dëbojë popullin serb nga Kosova.
“Kjo është shpallje lufte jozyrtare për serbët e Kosovës. Nëse nuk parandalohet kjo marrëzi, populli serb nuk do të ketë mundësi për ekzistencë në Kosovë dhe ne morëm fund, prandaj kërkojmë reagim urgjent dhe ndihmë nga Beogradi”, deklaroi Rakiq.