Ballkani Perëndimor ishte sërish në qendër të diskutimeve në Kongresin amerikan. Nënkomiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-së mbajti një seancë dëgjimore. Ndonëse tema kishte të bënte kryesisht me debatet mbi arritjet e Marrëveshjes së Dejtonit në qëndrueshmërinë e Bosnje-Hercegovinës, të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, sidomos të atyre në Maqedoni, u kthyen shumë shpejt në qendër të vëmendjes
Ishte Shirley Cloyes DioGuardi, ekspertja e çështjeve ballkanike ajo që solli në sallë përpara kongresmenëve të pranishëm faktin se si shqiptarët në Maqedoni, ndonëse janë në numër të madh si komunitet, me rreth 30 deri në 40 për qind të popullatës së përgjithshme, ende nuk gëzojnë të drejta të plota, siç është ajo e përdorimit të gjuhës, apo trajtimit si qytetarë jo të dorës së dytë. Duke vënë theksin te paefektshmëria e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila zgjidhi luftën në Bosnje por nuk arriti të zgjidhë konfliktin në Ballkan, zonja Cloyes DioGuardi shprehu qëndrimin se SHBA duhet me patjetër që të fokusohet së pari në çështjen e Maqedonisë.
“Maqedonia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku asnjë grup etnik nuk ka shumicë të vërtetë. Por dështimi i vazhdueshëm për të respektuar të drejtat e njeriut dhe ato civile për të gjitha këto grupe etnike në Maqedoni, solli edhe konfliktin e armatosur të vitit 2001. Për t’i dhënë fund këtij konflikti, Bashkimi Europian dhe SHBA hyri në negociata me maqedonasit dhe shqiptarët gjë që çoi në Marrëveshjen e Ohrit. Kjo marrëveshje supozohej që të sillte përfaqësim të barabartë të të gjitha grupeve kombëtare në administratën shtetërore, si dhe shpërndarje të barabartë të burimeve ekonomike. 17 vite më vonë, dispozitat që kanë të bëjnë me drejtësinë, përforcimin e shtetit ligjor, ushtrinë, shërbimin inteligjent, së bashku me decentralizimin fiskal, mbeten ende për t’u zbatuar.”, tha zonja Cloyes DioGuardi në dëshminë e saj si pjesë e panelit përpara kongresmenëve amerikanë.
Duke shpjeguar historikun e votimeve në Parlament për miratimin e gjuhës shqipe, si dhe platformën e shqiptarëve, ajo vazhdoi duke thënë se: “Edhe një herë, arritja e barazisë etnike në Maqedoni është në rrezik. Në janar të vitit 2018, Parlamenti i Maqedonisë miratoi dy herë ligjin që e bën gjuhën shqipe gjuhë të dytë zyrtare, sipas marrëveshjes së arritur mes partisë LSDM të kryeministrit Zoran Zaev dhe partive shqiptare. Megjithatë, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov vendosi veton në të dyja rastet, duke pretenduar se miratimi i një gjuhe të dytë zyrtare do të kërcënonte sovranitetin e Maqedonisë, unitetin dhe integritetin territorial të saj. Kushtetuta e Maqedonisë sanksionon kalimin e ligjit me dy të tretat e votave në Parlament, gjë që ende nuk ka ndodhur. Çështja e dytë më e rëndësishme e platformës së shqiptarëve është decentralizimi i buxhetit fiskal. Dhënia fund e diskriminimit ndaj shqiptarëve, duke u garantuar mundësi të njëjta ekonomike dhe mundësi rritjeje sociale zonave me shumicë shqiptare, do të çojë në një reduktim të ndjeshëm të mundësisë për një konflikt në të ardhmen. Çështja është nëse SHBA dhe Bashkimi Europian do të ndërhyjnë për të negociuar një plan për arritjen e barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve përpara se Maqedonia të pranohet në NATO.”
Zonja Shirley Cloyes DioGuardi përmendi edhe pabarazinë që vuajnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë a të tretë nga Beogradi, si dhe theksoi se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon, rreziku për konlfikte të reja që lindi që prej moszgjidhjes së këtyre çështjeve nga Marrëveshja e Dejtonit, ku nuk u përfshinë shqiptarët, mbetet ende i pranishëm në Ballkanin Perëndimor.
Më herët dëshmoi para ligjvënësve zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit në detyrë, Metju Palmer, i cili u fokusua më shumë në integrimin e Bosnjes në Komunitetin Perëndimor, si një partner i fortë në luftën kundër terrorizmit, që do të ndihmonte në një Amerikë më të sigurt dhe që do të ndihmonte në qëndrueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Palmer theksoi se SHBA duhet të ndihmojë në reformat e nevojshme në mënyrë që të zbrapset ndikimi keqdashës i Rusisë në Ballkan, si dhe kërcënime të tjera të jashtme.
Pas seancës dëgjimore, ish-kongresisti Joe DioGuardi, kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane theksoi ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA rëndësinë e këtij diskutimi dhe zhvendosjen e vëmendjes nga Bosnja në veçanti, në çështjen shqiptare, veçanërisht të asaj në Maqedoni.
“Në të tilla raste, është me shumë rëndësi që Kongresi të informohet. Informacioni është shumë i rëndësishëm. Shirley ishte e vetmja që solli në vëmendje që Marrëveshja e Dejtonit që nuk lejoi që shqiptarët të ishin pjesë e tryezës së bisedimeve. Kjo sepse Millosheviçi ia vendosi si kusht negociatorit Riçard Hollbruk. Pra, në të tilla raste, siç ishte edhe ky rast i kësaj seance dëgjimore që u mbajt për Bosnjen, duhet të shfrytëzosh rastin. Dhe unë në fakt këtë bëra. Kur dëgjova se do të mbahet kjo seancë i telefonova drejtuesit të saj, kryetarit të Nënkomitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresistit Dana Rohrabacher që pjesë e diskutimeve të ishte edhe Kosova dhe Maqedonia”, u shpreh për INA zoti DioGuardi.
DioGuardi solli për të pranishmit në këtë seancë dëgjimore edhe një memorandum të firmosur nga disa intelektualë shqiptarë në Maqedoni, ku dy pikat kryesore kanë të bëjnë me ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë, ku të reflektohet realiteti i ri, me barazi mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe çështja e emrit ku jepen propozime për Republika e Shkupit; Republika Qendrore e Ballkanit apo Republika Shumëetnike e Maqedonisë.