Është interesant të thuhet, por në intervistën për BGNES-in, ka disa pohime që janë shumë të afërta me tezat që deri tash kanë ardhur jo nga LSDM-ja, por nga VMRO-ja lidhur me origjinën, gjuhën, alfabetin…
Nga Daut DAUTI
Në intervistën “problematike” ose si thotë vetë “të keqkuptuar” për BGNES, ka një çështje që ndoshta ZoranZaevi ka të drejtë kur thotë se bullgarët nuk janë fashistë, por “administratorë” në një luftë ku gjithandej ishin bërë pushtime (okupime).
Shumë historianë, ose dëshmitarë, mund të thonë se te një pjesë e popullatës maqedonase, ushtria bullgare qe pranuar si çlirimtare! (njësoj edhe shqiptarët i kishin pranuar okupatorët fashistë italianë si të tillë!) Mbase jo rastësisht. Sepse, ndryshe e kanë përjetuar pushtimin nazi-fasishtserbët, kroatët, sllovenët (dhe malazezët, si pjesë ndoshta etnike serbe), e ndryshe maqedonasit, shqiptarët, boshnjakët, të cilët në kohën e Krajlit nuk kishin kurrfarë të drejtash dhe pikërisht ardhja e bullgarëve, për maqedonasit, dhe e italianëve për shqiptarët(por dhe për kroatët, që krijuan shtetin e pavarur, por që u zhytën thellë në krime), duhet të jetë përjetuar edhe si një lloj çlirimi. Duke i pasur përvojat e hidhura të luftërave të mëparshme, cili maqedonas ose shqiptar i rëndomtë në ato kohë ka mundur të dijë se kush do ta fitojë luftën e kush do ta humbë, kush bën luftë të drejtë, e kush jo, e kush bën krime (për holokaustin është marrë vesh shumë vonë), ndaj dhe qëndrimi ndaj këtyre ushtrive nuk ka qenë siç mund të jetë shkruar historia më vonë, me zbukurime ideologjike të fituesve.
Jo rastësisht në Maqedoni kryengritja kundër okupuesve bullgarë ka ardhur më së voni nga të gjitha rajonet e ish-Jugosllavisë, sepse edhe organizata krahinore e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, është hamendur mjaft për ta filluar apo jo kryengritjen. Po ashtu jo rastësisht përjashtohet nga partia sekretari partiak Metodij Shatorov-Sharlo, i cili me pushtimin bullgar ia bashkangjet organizatën partiake Partisë Bullgare të Punës, për çka Tito çon një garniturë krejtësisht të re me në krye Lazar Kolishevskin, por që në fakt, fjalën kryesore e ka pasur emisari Svetozar Vukmanoviq-Tempo për ta organizuar kryengritjen dhe luftën (diç ngjashëm siç kanë qenë Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviqi e ndonjë tjetër në Shqipëri). Sharlo, siç mund të haset në disa burime, i ka bërë obstruksion proklamatës së KQ të PKJ-së për organizim të mbrojtjes kundër okupatorit, e ketë më së miri e dëshmon me faktin se armët e lëna nga ushtria e Krajlit pas kapitullimit, që është dashur t’i mbledhin për të organizuar aradhet partizane, ai i le të bien në dorë të ushtrisë pushtuese bullgare. A mund të akuzohet për diçka të tillë nëse ai do të ketë pasur ndjenja bullgare dhe se ushtrinë bullgare e ka konsideruar si çlirimtare? Edhe pse shënohet të ketë thënë se një okupim (ai serb), zëvendësohet me një tjetër(bullgar), çështja e sentimentit nuk duhet përjashtuar dhe mbase jorastësisht i bashkëngjitet partisë komuniste bullgare. Ai në Bullgari do të luftojë në aradhet partizane dhe lufton pikërisht kundër ushtrisë bullgare, një kontekst ideologjik i kohës.
Motivi për këtë, përveç ndjenjave(megjithëse nuk mund të spekulojmë në mënyrë absolute), është edhe fakti tjetër: maqedonasit nuk kanë pasur subjektivitet politik në Mbretërinë Jugosllave, gjuha e tyre nuk është pranuar, shkolla në gjuhën e tyre nuk ka pasur. Pra, njësoj si shqiptarët, kanë qenë qytetarë të dorës së dytë dhe pse të mos ketë pasur ndër ta, madje dhe në shumicë, që ushtrinë bullgare e kanë pranuar si të vetën? Nëpër dokumente arkivore kam hasur mjaft maqedonas që më vonë nga pushteti komunist janë akuzuar si bashkëpunëtorë të pushtetit bullgar, ndërkaq në të vërtetë kanë punuar në administratën e këtij pushteti, zaten, si më parë edhe gjatë sundimit osman ose atij serb. Nëse bëjmë analogji më tutje, atëherë okupimi italian për shqiptarët e këtej kufirit shënoi një periudhë e lulëzimit arsimor e kulturor(për herë të parë qenë hapur shkolla shqipe e qenë krijuar shoqata kulturore) dhe qeveria kuislingë shqiptare nuk mori pjesë në përndjekjen e hebrenjve. Ndërkaq në zonën e okupuar bullgare çdo gjë ishte bullgare, sepse popullsia maqedonase trajtohej si e tillë, kurse ai pushtet mori pjesë edhe në deportimin e hebrenjve për në kampin famëkeq të Treblinkës, si shprehje e lojalitetit të Carit bullgar ndaj Hitlerit. Këto janë fakte të pamohueshme.
Është interesant të thuhet, por në intervistën për BGNES-in, ka disa pohime që janë shumë të afërta me tezat që deri tash kanë ardhur jo nga LSDM-ja, por nga VMRO-ja e Lubço Georgievskit, por që të tilla janë të pranishme edhe më vonë. Zaevi thotë se politikanët e ish-Jugosllavisë (pra, komunistët), i kanë mbajtur të ndarë bullgarët dhe maqedonasit. Nëse kthejmë kujtesën mbrapa, në fillet e demokracisë, përveç antishqiptarizmit anakronik që promovoi VMRO-ja, ishte edhe antikomunizmi dhe antizerbizmi. Në këtë kontekst, është e njohur teza se për gjithçka fajet i kanë komunistët serbë(në kontekstin e dhënë, ata janë eksponentë të hegjemonizmit edhe nga më herët) të cilët maqedonasve u imponuan shumëçka: historinë(duke i larguar nga origjina e tyre “e vërtetë”) por dhe gjuhën dhe kulturën në përgjithësi. Nuk është fshehtësi, edhe Antonio Milloshovski, i cili sot më shumë parapëlqen antikën se “rrënjët e përbashkëta”, gjithmonë e ka sulmuar babanë e gjuhës dhe gramatikës maqedonase, BllazheKonevskin, duke e quajtur “xhuxhi i Nebregovës” (Nebregova, vendlindja e tij). Pse? Cili është mëkati i një themeluesi të gjuhës standarde dhe gramatikës së gjuhës maqedonase, i cili e jetësoi “amanetin” e K.P. Misirkovit? Mëkati i tij, sipas disa autorëve të afërt me VMRO-në është se Bllazhe Koneski alfabetin maqedonas e largoi nga alfabeti cirilik bullgar duke i zëvendësuar ato me shkronja serbe, e nga ana tjetër, edhe te leksiku i gjuhës maqedonase, ka bërë “kërdinë”, duke e afruar me serbishten. Pra, ky është një “mëkat” që e kanë theksuar qarqet e VMRO-së, ku haptas, e ku në mënyrë interne, dhe kur këto qarqe nuk arritën ta bindin opinionin publik maqedonas për afërsinë me bullgarët për çka i akuzonin L. Georgievskin e Dosta Dimovskën (shumë i afërt me këso tezash edhe Dimitar Dimitrovi, babai i ministrit aktual për eurointegrime), në kohën e Gruevskit “ikën” gjer në antikë, për të kërkuar rrënjë të tjera! Por, pohimi i Zaevit tash, se maqedonasit kanë origjinë të përbashkët dhe gjuhë të ngjashme, i rikthen pikërisht këto teza asnjëherë të harruara të qarqeve VMRO-iste dhe kjo sigurisht përbën një hendikep të madh brenda konceptit krejtësisht tjetër në LSDM, lider i së cilës është. Besoj se është herezi e madhe të thuash këtë: “Unë jam nga Strumica. Banorët e Strumicës dhe të Petriçit (Bullgari), flasin të njëjtën gjuhë, aq jemi të afërt! Çfarë gjuhe është ajo, maqedonase a bullgare?”. I afrohet më shumë tezës bullgare(ndoshta dhe të vërtetës) se maqedonishtja është dialekt i bullgarishtes, se sa qëndrimit të linguistëve maqedonas.
Kur përmenda dosjet, në të cilat kam pasur qasje për disa vite, në kohën e komunizmit shumë të përndjekur politikë janë akuzuar si elemente probullgare. Ata kanë qenë ato forca që nuk janë pajtuar me mbetjen e Maqedonisë në Jugosllavi, të cilat o janë angazhuar për Maqedoni të pavarur “gjer në Selanik”, o për bashkim me Bullgarinë. Këtu ka të drejtë Zaevi se maqedonasit dhe bullgarët i kanë ndarë politikanët, por gabon, sepse kjo nuk është vërteta e plotë, ndasitë i kanë krijuar edhe rrethanat historike e ideologjike dhe faji ka qenë edhe përtej kufirit, e jo vetëm në Jugosllavi.
Ngado që ta marrësh, intervista e Zaevit për agjencinë e përmendur bullgare, ka shkaktuar tërmet. Duke dashur që t’i shkojë për huji fqinjëve bullgarë që prej tyre të marrë përkrahjen për BE, ka prekur disa çështje që kanë qenë te shenjta ose aksioma, kurse nga ana tjetër, ka rritur apetitet bullgare për atë lloj kompromisi që prek çështjet identitare, ndaj Karakaçanovi kërkon një memorandum. Nëse disponimi negativ shtrihet edhe në anëtarësinë e LSDM-së, çfarë realisht mund të ndodhë, mund të vijë në pyetje karriera politike e tij. Sepse, nuk është çështja se sa ka të vërtetë në tezat e tij të dhëna për publikun bullgar por sa publiku maqedonas është i gatshëm t’i kapërdijë ato. Sepse, ndodh për herë të parë që nga qëndrimet e tij të distancohen persona nga rrethi më i ngushtë, gjë që mund të jetë hap nga një distancim edhe më i gjerë.
Nëse të gjitha këto bëhen që Maqedonisë t’i zhbllokohet rruga për BE, është një guxim burrështetasi, por, me këto veprime ai në një farë mënyre i legjitimon pozicionet jo parimore të Bullgarisë, e cila në njërën anë është plot gojë miqësi, e në anën tjetër, vepron më keq se Greqia. Çdo ekspertizë ndërkombëtare të marrëveshjes në fjalë, do të vinte në konstatim se çështjet që i shtron Bullgaria nuk u përkasin kritereve që duhej t’i përmbushte Maqedonia, por janë çështje të karakterit bilateral e historik që nuk duhej përdorur si kusht!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)