A ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të çlirohet nga “mbi 20 përqindëshi”? Do të ishte një nga proceset më kapitale dhe thelbësore të brendshme që pas Marrëveshjes së Ohrit, tani që vendi po hyn në dekadën e re të pavarësisë dhe Marrëveshjes së Ohrit, proces i cili do të sillte atë qetësinë e kërkuar ndëretnike, e cila si çekiç bie mbi kokën e të gjitha proceseve, dhe e cila vitet e fundit ishte helmeta mbrojtëse e mos suksesit në të gjitha fushat. Nuk dua të them që Marrëveshja e Ohrit nuk solli përparime, por ngurtësia me termin “mbi 20 përqind” sjell tensione
Nga Nazim RASHIDI
A duhej përdorur regjistrimi i popullsisë si një mundësi për të mbyllur një herë e përgjithmonë çështjen me shifrat, termin “mbi 20 përqind” por dhe frikërat që dalin me debatet kush sa përqind është në Maqedoninë e Veriut dhe sidomos nëse janë ose s’janë 20 përqind shqiptarët? Ose, a është termi “mbi 20 përqind”, që gjendet në kushtetutë e ligjet e Maqedonisë së Veriut, tani pengu i shoqërisë?
Këto pyetje prej kohësh më shtrohen në kokë, por disi u përforcuan mu kur filloi regjistrimi, apo më saktë vetëregjistrimi i mërgatës. U përforcua sepse gjatë “Programit 200” në TV Alsat, që unë drejtoj,deputeti i VMRO DPMNE-së Mile Lefkov tha se partia e tij mund të hyjë në një debat diskutimi për të ndryshuar kushtetuta dhe ligjet në të cilën do hiqej përkufizimi “mbi 20 përqind” e të zëvendësohet me “shqip” ose shqiptarë”.Ai tha se nëse gjatë ligjit për regjistrimin e popullsisë do të debatohej më gjatë mund të hyhej në një proces, siç e quajti “kreativo-ligjor” për të cilin do të jepej mbështetje.
Ne jetojmë në një periudhë të një Maqedonie të re, me emër të ri, me një pushtet që slogan kishte parullën “një shoqëri për të gjithë”, dhe mu në një moment të duhur, opozita, ajo maqedonase, sugjeron (qoftë edhe nëse e ka pasur për hesap të vet, apo edhe një lloj propagande përafrimi ndaj shqiptarëve) se mund të pranojë një proces “kreativo-ligjor” dhe t’i japë mbështetje e i cili mund të çlironte vendin nga kllapia e shifrës dhe termit “mbi 20 përqind”.
Një pyetje tjetër: A ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të çlirohet nga “mbi 20 përqindëshi”?
Ja edhe një: A është e gatshme klasa politike të hyjë në këtë proces?
Në fakt do të ishte një nga proceset më kapitale dhe thelbësore të brendshme që pas Marrëveshjes së Ohrit, tani që vendi po hyn në dekadën e re të pavarësisë dhe Marrëveshjes së Ohrit, proces i cili do të sillte atë qetësinë e kërkuar ndëretnike, e cila si çekiç bie mbi kokën e të gjitha proceseve, dhe e cila vitet e fundit ishte helmeta mbrojtëse e mos suksesit në të gjitha fushat. Nuk dua të them që Marrëveshja e Ohrit nuk solli përparime, por ngurtësia me termin “mbi 20 përqind” sjell tensione.
Shikoni debatet e fundit, që nga kultura në ekonomi e deri tek shërbimet sociale, përplasjet janë rreth shifrave e jo për përmbajtjen dhe cilësinë e politikave të implementuara. Ndoshta gjithçka ishte proces. Dakord. Edhe nëse është kështu. Them se koha është të shkohet përpara, për interesin e të gjithëve tashmë.
Le të jemi direkt.
Regjistrimi i popullsisë, që nuk është bërë prej dy dekadash në vend, është i mbështjellë me një frikë: numrin e përgjithshëm të shqiptarëve.
Për një pjesë të maqedonasve frika është se ata mund të dalin më shumë, se rreth 25 përqind sa ishin në regjistrimin e fundit dhe për një pjesë tjetër se do jenë më pak dhe se kjo “më pak” do manipulohet e fryhet që të dalin në termin kushtetues dhe ligjor “mbi 20 përqind”.
Por pse duhet bërë i gjithë ky stres? Pse gjithë kjo sipërmarrje manipuluese kur e gjitha mund të ishte e thjeshtë? Pse nuk futet vendi në një proces politik të gjerë, të hiqet kjo barrë që ngarkon të gjithë. Le të hiqet ky përkufizim dhe sado që të jemi si etni, jemi!
Por, situata siç është ngarkon dhe shqiptarët.
Përfaqësuesit e diasporës të cilët filluan të përdorin aplikacionin për regjistrim hapur shprehin dyshime se ka manipulime, frikë se nuk do të shënohen. Frikë ka edhe nga shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut se numri i tyre do të përpiqet të zvogëlohet.
Dhe është frika e të gjithëve se do jetë një proces problematik, me rezultate të dyshuara të cilat nuk do prodhojnë efektin parësor të përdorimit të shifrave të këtij operacioni të rëndësishëm për planifikimet dhe përgaditjet e politikave dhe masave që do të duhet të sjellin zhvillimin afatgjatë.
Përsëri pyetja: Pse nuk arrin ky vend të zhvishet nga ngarkesa me shifrat me termin “mbi 20 përqind”?
Ne,si asnjëherë më parë, kemi të artikuluara qëndrime politike ku hapur thuhen, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta e spektrit potent politik maqedonas, se të drejtat e arritura nuk mund të kthehen pas. Ky narracion nuk mjafton më të thuhet veç si retorikë, por duhet vënë në praktikë. Dhe kjo bëhet me një proces politik i cili mund të ishte nxitur nga pjesa potente e spektrit politik shqiptar.
Këtu fillon pjesa e zymtë e kësaj ideje ama.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sot ka vetëm nga partitë shqiptare 32 deputetë, për dallim nga 22 sa ishin në përbërjen e mëparshme parlamentare. Por ata më shumë janë të zhytur në betejat e relativizimit të veprimeve dhe fjalimeve politike mes njëri-tjetrit, në kakofoninë e përplasjeve të përditshme, se sa në parashtrimin e nismave të rëndësishme politike.
Ana tjetër e së njëjtës monedhë shfaqet edhe tek subjektet maqedonase.
Një skenë politike që ka në thelb vetëm ankesën, zhvlerësimin e rivalit dhe paraqitjen me çdo kusht të kundërshtarit se s’ka të drejtë, se ka gabuar, se çdo gjë që thotë është dështim. Dhe në asnjë moment një reflektim për ide të mëdha.
Por s’është kështu realiteti i njerëzve që jetojnë përditshmërinë e tyre, e të cilët janë lodhur nga kjo politikë konfrontuese.
Prandaj mbase, në një realitet më paqësor politik e thelbësor, regjistrimi i popullsisë mund të përdorej për një proces aq lehtësues të shoqërisë, ku mund të ndryshohej edhe kushtetuta edhe ligjet. Ku hapur do të thuhej se edhe gjuha shqipe është zyrtare, se përfaqësimi i drejtë parasheh shqiptarët e të tjerët, se realiteti në fund të fundit është se Maqedonia e Veriut sot nuk është më reflektim i asaj që la Jugosllavia e dikurshme, por se dinamikat e saja origjinale e të pavarura kanë sjellë këtë realitet, ku përqindjet nuk janë bazë për barazi.
Dhe në këtë realitet të sotëm, partia VMRO DPMNE, e cila shihej si më nacionalite dhe më frenuese ndaj idesë se kush duhet ta dominojë shtetin pranon se mund të ketë një proces për ndryshime. Realitet i sotëm është se një numër i madh shqiptarësh votuan LSDM-në për shoqërinë e saj të barabartë për të gjithë. Dhe është po realitet se ky moment nuk u përdor e nuk përdoret nga klasa politike, jo thjesht për të tejkaluar këtë shqetësim konstant me shifrat për shqiptarët, i cili më së paku nuk lejon të thuhen gjërat ashtu siç janë, por madje edhe pengon zhvillimin dhe tërheq pas debatet mes shqiptarëve dhe për shqiptarët. Një proces i hapur pa tensionin e shifrave do krijonte një hapësirë të re dhe një fllad të ri debatesh politike. Kjo do të sillte impulsin e ri aq të nevojshëm që do ngjallte dinamikë të re nga politika e lodhur, i cili impuls do bënte që politika e politikat të ishin më ideologjike, më thelbësore dhe direkte kundër paaftësisë, korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
Por dilema për fat të keq përballet me dilemë: A është mungesë guximi politik, apo është mosguxim i qëllimshëm për mos të lëkundur statusquo-në, ku valëvitja politike me shifrat sjell rehatinë përfituese të politikës?
Po, po, që të rrinë të qetë opozitarët, më të rehat në këtë gjendje janë pushtetarët sepse sa do mos veprojë opozita, asgjë nuk justifikon dështimet e pushtetit. Por kjo është çështje tjetër.
Regjistrimi i popullsisë me gjasë do të zhvillohet, mbase edhe do të dyshohet. Përveç shifrave që do prodhojë, krijoi edhe këtë moment politik, i deklaruar hapur, se mund të bëheshin edhe ndryshime të tjera juridike që vendit t’i sjellin qetësinë e munguar. Politika një gjë ka konstante, paparashikueshmërinë. Ku i dihet, mbase do krijojë edhe momente të tjera, por që do shfrytëzohen…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)