Ai është i ri, por mjaft i njohur në botën e shoubizit, sidomos kur bëhet fjalë për foto, trendi më i pëlqyer i personazheve VIP dhe jo vetëm. Çlirim Rusi, fotografi që shumë shpesh në objektivin e tij ka personazhet më të njohur shqiptare, vjen në një rrëfim të këndshëm për InfraRed të gazetës KOHA dhe tregon për dashurinë që ka për fotografinë, punën e tij me Vipat dhe marrëdhënia e tij me motrën që njëkohësisht është emër i njohur në arenën e muzikës, Silvana Rusi
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Çlirim, emri yt është mjaft i lakuar në fushën e fotografisë. Si lindi pasioni për foton?
Pasioni im për fotografinë ka lindur në mënyrë shumë graduale por edhe të natyrshme, ndodhte gjithmonë që në çdo event apo aktivitet e gjeja veten duke iu bërë foto miqve, sepse thonin që shkrepjet e mia ishin gjithmonë më të mirat, por shkëndija e parë e vërtetë erdhi para rreth 6 vitesh ku në mënyre rastësore u përfshiva në një set fotosh profesionale. Aty kuptova se fotografia më bënte mos t’a ndjej kohën që kalon dhe që nga i moment synimi im ka qenë dhe vazhdon të jetë përmirësimi në atë çfarë kam zgjedhur të bëj.
KOHA: I mban mend fotot e para që ke realizuar? Si kanë qenë ato?
Sigurisht që i mbaj mend, por më e rëndësishme se sa fotot që kam bërë ishte ndjesia që krijoja. Kur je fillestar gjërat që mëson në çdo fushë janë të shumta dhe ka disa momente kur të duket vetja sikur je bërë “mjeshtër” i punës që bën, por nuk zgjat shumë që të kthehesh me këmbë në tokë sepse përballesh shumë shpejt me vështirësinë e radhës. Për t’a thënë me pak fjalë fotot e para që kam bërë mundohem ti shoh sa më rrallë, sepse nuk janë aspak të një niveli profesional, por i ruaj me dashuri të madhe, sepse janë gurët e parë të karrierës time.
KOHA: Shumë personazhe të njohura kanë qenë në qendër të objektivit tënd. Cili prej tyre ka qenë i pari që të ka kërkuar t’i realizosh foto?
Ç’është e vërteta personazhi i parë nuk më kujtohet por që mund të përmend atë që vjen me shpesh për t’a fotografuar dhe që për mua është gjithmonë kënaqësi t’a fotografoj dhe jo për bukurinë por për energjinë pozitive që përcjell me karakterin që ka është Xhesika Ndoj dhe personazhi tjetër që unë ja kam nxirë jetën, sepse gjithmonë ia vonoj fotot në maksimum, por që nuk më “tradhton” asnjëherë me fotografë të tjerë, sepse “i ka zënë rrota bishti” për arsye që merren me mend është Silvana Rusi. (Qesh)
KOHA: Si janë në përgjithësi kërkesat e tyre?
Kërkesat janë të shumta, por idetë janë të pakta sepse duke qenë personazhe të njohur duhet të kenë gjithmonë materiale, por njëkohësisht duhet të sjellin risi dhe për mua si fotograf dhe besoj edhe për cilindo fotograf – është një sfidë e vërtetë që të krijojnë çdo ditë diçka të re për klientët e tij, por puna me këtë kategori klientësh është shtysa më e madhe për t’u përmirësuar gjithmonë.
KOHA: Të çfarë natyre i kërkojnë ata fotot?
Siç thashë edhe me parë, kërkesat e personazheve janë të shumta dhe kjo gjë i bën të eksperimentojnë në çdo lloj stili të fotografisë. E rëndësishme është që produkti final të jetë diçka e bukur.
KOHA: Arrin t’ua plotësosh kërkesat të gjithëve?
Deri sot besoj se ia kam arritur që t’i plotësojë kërkesat, normalisht që më bashkëpunimin e tyre, sepse kur realizon një set fotografik, edhe modelet duhet të jenë në ditën më të mirë të tyre dhe të jenë të qartë dhe të lexojnë më së miri idetë dhe mendimet e njëri-tjetrit për të realizuar një foto të bukur në të kundërt projekti është i destinuar të dështojë.
KOHA: Si do të ishte fotoja ideale që do të doje të realizoje apo që ke në mendje?
Nuk ka foto ideale, por ide që mund të realizohen në mënyrë ideale. Për momentin kam shumë ide në kokën time që dua t’i realizoj, por që jam në pritje të klientit që do jetë i gatshëm për t’i realizuar. Megjithëse nganjëherë idetë janë edhe të kushtueshme. (Buzëqesh)
KOHA: Cila prej femrave të njohura shqiptare do të ishte e duhura për foto nudo artistike?
Nuk kam patur ende rastin t’a fotografoj, por mendoj se modelja shqiptare që do e fotografoja me dëshirë të madhe prej fotografi jo vetëm nudo – është Adrola Dushi.
KOHA: Sa e vështirë është të fotografosh personat e njohur, krahasuar me ata të panjohur?
Në fakt, tek unë nuk ekziston kjo lloj ndarjeje, unë do diferencoja ndërmjet atyre që kanë energjinë e duhur për të më frymëzuar dhe atyre që do me duhet që frymëzimin t’a gjej vetë, normalisht që tek rasti i parë puna është shumë me e thjesht, megjithatë dihet që personazhet janë gjithmonë më kërkues se njerëzit e zakonshëm por kjo nuk është një arsye që unë si fotograf të neglizhoj apo mos t’iu jap rendësi detajeve, qëllimi im është të jem konstant dhe të mbaj të njëjtin nivel performance në atë që bëj.
KOHA: Cila prej tyre ka pasur “probleme”, me fotot e realizuara nga ti?
Më shumë se sa probleme me fotot mund të kenë probleme me veten (qesh). Kur realizon 10 foto në një ambient normalisht që të dhjeta fotot duhet të kenë standardin e duhur, por sido që të jetë, është një foto që bën diferencën dhe mund të thuash “uaa” pa asnjë dyshim, por gjithmonë do jetë një që nuk do ta krijoje këtë ndjesi. Nëse ky quhet problem atëherë “let it be”. (Buzëqesh)
KOHA: Më thuaj këngëtaren, aktoren, prezantuesen dhe modelen më të përshtatshme për të realizuar foto artistike…
Përveç Adrola Dushi që përmenda, padyshim do përmendja edhe Ada Deda në versionin tim. Ajo është ndër modelet shqiptare që kam fotografuar me shpesh dhe ka të njëjtin impakt tek publiku dhe tek unë, vjen gjithmonë e freskët dhe e ëmbël dhe gjithmonë ndryshon rast pas rasti.
KOHA: Me cilin prej personave të njohur ke më tepër shoqëri?
Me atë që vjen më shpesh për t’a fotografuar, lexuesit e vëmendshëm do e kuptojnë për kë bëhet fjalë. (Buzëqesh)
KOHA: Cila është fotoja të cilën sa herë që e sheh, të bën të krenohesh?
Bëhet fjalë për një fotoportret të realizuar para tre vitesh në Shën Naum ku modele ishte Ada Deda me një fustan nusërie dhe make-up nga Beauty Center Linda. Është një foto që më jep gjithmonë të njëjtin emocion sa herë që e shoh dhe është e vetmja foto, e cila është postuar më shume se njëherë në instagramin tim.
KOHA: Çfarë mendon se kanë pëlqyer te ti personat e njohur?
Normalisht që stilin të cilin kam, mund të krijoj gjatë këtyre viteve eksperiencë.