Ish kandidatja demokrate për Presidente të SHBA’së, Hillary Clinton, ka fajësuar disa faqe të lajmeve në internet që operojnë në Maqedoni për humbjen e saj në zgjedhjet amerikane.
“Rusët historikisht, sidomos në dekadat e fundit, po bëjnë sulme kibernetike dhe po vjedhin informata të cilat po i përdorin ndaj nesh për të ndikuar te tregu dhe te agjencitë e inteligjencës”, ka thënë Clinton, duke folur në një konferencë për teknologji, teksa shtoi se Rusia i ndihmoi Trumpit ‘për ta mbushur Facebookun me gënjeshtra dhe Twitterin me llogari të rreme’. “Kësaj radhe ishte ndryshe për shkak se informatat u publikuan dhe u nxorën disa thashetheme për ne, si për shembull, në Maqedoni prej nga po operojnë këto sajte të rreme”, shtoi Clinton, transmeton gazetametro.net
Edhe përpara zgjedhjeve presidenciale në Amerikë kishte prentendime dhe akuza për shpërndarjen e lajmeve të rreme nga Velesi i Maqedonisë. Pas humbjes befasuese të Clinton, për këtë gjë kishte folur edhe Obama. Ndërkohë, Presidenti Trump e ka akuzuar Clintonin se po i përdor lajmet e rreme si arsyetim për humbjen e saj në zgjedhje. Një ditë më parë, Clinton tha se Trump ishte bërë bashkë me Putinin për ta mundur në zgjedhje duke përdorur metoda të tilla jodemokratike.