Cleveland Cavaliers shkatërroi 86 – 130 Boston Celtic edhe në sfidën e dytë finale të Konferencës së Lindjes, me LeBron James me shokë që duken të pandalshëm drejt finales së madhe, me synim mbrojtjen e titullit të fituar një vit më parë. Ne TD Garden Arena të Bostonit ekzistonte vetëm një skuadër në fushë, Cleveland, që e udhëhequr nga mbreti James krijoi një diferencë të pabesueshme prej 41 pikësh në fund të pjesës së parë. Ky hendek i madh u mjaftoi Cavaliers për fitoren e dytë, që në fakt erdhi me plot 44 pikë diferencë. LeBron James dhuroi një tjetër paraqitje fantastike, duke shënuar 30 pikë, dhënë 7asiste dhe rikuperuar 4 topa poshtë koshit.
MVP e finaleve të sezonit të kaluar ishte inspirues për basketbollistët e tjerë të Clevelandit, me Irving që shtoi 21 pikë të tjera për miqtë. Në radhët e të zotëve të shtëpisë statistikat më të mira i përkisnin Jaylen Brown me vetëm 19 pikë dhe katër rikuperime.
Dy përballjet e radhës do të zhvillohen në “Quicken Loans Arena” të Clevelandit, aty ku LeBron me shokë do të kenë mundësi ta mbyllin cështjen e kualifikimit pa qenë nevojë të zhvillohet ndeshje të tjera.