Çka u kry?

30

Kosova dhe Serbia problemin do ta kryejnë vetëm me firmosjen e marrëveshjes që I jap fund përgjithmonë problemit. Por, a duket situata që nuk duket se po shkon drejt fundit si një mundësi për të zgjidhur problemin? Apo, thjesht tashmë ky proces është shtrirë në çështje të ndara një nga një për të krijuar mirëkuptim për një marrëveshje përfundimtare? Më shumë duket si e pamundur për momentin. Por, mbase ka diçka që ne nuk e dimë

Nga Idro SEFERI

Shumë e priten se çfarë do të bëjë i dërguari i BE-së për dialogun me Kosovën, Mirosllav Llajçak. Diplomati sllovak ishte parë si problem që në fillim pasi vinte nga një shtet që nuk e njeh Kosovën. Por, edhe për faktin që edhe shefi i tij, Josep Borelli, një katalan në diplomacinë spanjolle, tani shef për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së. por, në një sistem të tillë si Bashkimi Evropian shumë varet nga mendimet e përgjithshme të shteteve anëtare, nuk do të dallonte shumë pasi të rrallë janë ata, qofshin edhe gjerman, që brenda BE-së flasin ndryshe nga gjuha e përditshme burokratike e Brukselit. Por, Lajçak erdhi për të diskutuar për ato që janë arritur dhe që paraqitet si pengesë e dialogut. Pas dy ditësh në Prishtinë dhe disa dhjetëra takimesh, në vilën “Mir” në të cilën dikur banonte, Sllobodan Millosheviqi.

Aty arriti në kohë dhe takoi presidentin, Aleksandër Vuçiq për rreth gjysëm orë pasi takimi ishte paraparë të zgjaste 25 minuta. Ishte presidenti serb i cili i pari tha se dialogu në Bruksel do të vazhdoj dhe se Serbia do të jetë e gatshme të shkoj sërish në Bruksel, pavarësisht siç tha, që këto bisedime janë shpesh të lodhshme dhe të pakuptimta. “Kam frikë se kur nuk flasim mund të vijë deri tek incidentet”, u shpreh presidenti Vuçiq, i cili duket se ka mësuar një gabim të vendit të tij nga e shkuara: “braktisja e bisedimeve nuk shpaguhet”. Ajo që Lajçak e tha është se në asnjë nga takimet e tij në Prishtinë nuk ka hasur në kundërshtime rreth Asociacionit të Komunave Serbe apo e njohur si “Zajednica”, pasi siç tha, kjo është një punë e kryer dhe duhet negociuar vetëm statutin e saj. I pyetur nga gazetarët se si mund të shqyrtohej vendimi i gjykatës kushtetuese në Kosovë rreth kësaj çështje, Llajçak u përgjigj: “kushtetuta nuk është bibël dhe duhet të ndryshoj.

Ne do të flasim për çështje që ndoshta kërkojnë edhe ndryshimin e kushtetutave”. Këtu ai nuk e pati ndoshta vetëm për Kosovën pasi në këtë pikë Serbia mund të thirret në kushtetutë. Këtu ndodhi për herë të parë në shumë kohë që nga Kosova të reagohet në deklaratat e tij dhe të një zyrtari të lartë të BE-së. Natyrisht se Bashkimi Evropian nuk është shumë në pozitë, pavarësisht kujdesit të madh që kanë pasur vendet ndaj Kosovës, për të kërkuar dhe besuar në premtimet e tyre pasi shtetasit e Kosovës gjithmonë kujtojnë punën e vizave dhe mos përmbushjen e premtimeve. Natyrisht se kjo gjë është një çështje politike e lidhur me dialogun pasi për shtetasit e Kosovës përfitim më direkt se liberalizimi I vizave nuk mund të ketë. Në një situatë të kundërt njerëzve në Kosovë edhe mund të mos u bëhej vonë më për negociatat me Serbinë përderisa ata mund të udhëtojnë. Por, këtu mbi të gjitha më bëri përshtypje intervista e mëparshme e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili qe i prerë: “nuk zbatojmë asgjë pa marrëveshje përfundimtare”.

Natyrisht se kam qenë ithtar i idesë që Kosova dhe Serbia të flasin për çështjen kryesore mes tyre e që është statusi, përkatësisht kushtet e Serbisë për ta njohur Kosovën. Pas idesë për ndarje, nëse formohet asociacioni, atëherë pak do të ngelet të diskutohet këtu dhe shoqëritë mund të shkojnë drejt një normalizimi. Kosova fillimisht nuk ka dashur të diskutoj për statusin pasi në fillim të negociatave kishte avantazh mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, siç duket këtu po flitet për krijimin e hapësirës për tu dakorduar. Por, në të drejtën e saj, Kosova nuk do të mund të zgjidh punë shpejt dhe kjo mund të mos jetë ideja. Arsyet që janë në disfavor të Kosovës janë fakti që edhe në SHBA është diskutuar për çështje të tjera, por jo rreth statusit të Kosovës, përkatësisht pavarësisë. Bashkimi Evropian duket se e ka bërë temë pasi nga trazirat politike në Prishtinë, ka ngelur asociacioni, dorën në zemër i firmosur nga zyrtarët e Kosovës dhe atëherë i proklamuar si një ide e mirë. “Nëse duam shoqatë joqeveritare, atë e bëjnë dhjetë serbë bashkë”, tha Vuçiq në konferencën me diplomatin evropian.

Në këtë fushë shtrohet pyetja se a do të mund Kosova të ik nga zbatimi I marrëveshjes për asociacionin, por edhe në marrëveshjet tjera që kryesisht janë teknike, pra ekonomia, transporti dhe përafrimi I atyre marrëveshjeve të Brukselit? Apo, mund të thuhet që zgjidhja të ndodh tani ose fare dhe a është mjaftueshëm asociacioni për Beogradin zyrtar që ta quaj marrëveshje përfundimtare? Vështirë ti shihet fundi një procesi të tillë. Kosova ka deklaruar shpesh se në negociata është future për njohje. Por, shtrohet edhe një pyetje tjetër këtu: ia ka premtuar dikush Kosovës një gjë të tillë dhe si? Dhe, a do të ketë një moment të shpejtë në bazë të rrethanave të tanishme që ta mbyllë procesin një herë e përgjithmonë? Në bazë të asaj që duket nga jashtë, përgjigjja është thjesht jo. Për asociacionin edhe Lajçaku edhe Hoti, po thonë se është punë e kryer, por me ide të kundërta rreth asaj se si u kry.

Por, gjithsesi zgjidhja e një konflikti të tillë nuk ndodh pa këto firma në fund në mënyrë që të bëhet një problem I harruar siç duket tashmë problemi Shkup-Athinë I quajtur “Maqedonia Veriore”, të cilën tashmë shumica e thërrasim kështu pavarësisht se ende duket paksa qesharake.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)