Id, Ego dhe Super ego janë tri elemente të personalitetit. Personaliteti është një model i dallueshëm dhe i qëndrueshëm i sjelljes dhe njohjes që e karakterizojnë përshtatjen e një personi në jetë. Personaliteti përbëhet nga sjelljet publike të një personi, që përfshijnë shprehjet verbale dhe jo verbale dhe nga motivet personale,mendimet dhe emocionet. Teoritë e personalitetit kanë disa qëllime kryesore. Njëri është që të organizojë karakteristikat e personalitetit. Teoritë japin një strukturë për të integruar karakteristika si agresiviteti, emocionaliteti, inteligjenca, shoqërueshmëria, ankthi dhe pasiviteti. Sipas Sigmund Foridit teoria e personalitetit përbëhet nga tri koncepte kryesore: Id-it, superego dhe ego.
ID-i është komponent i lindur i personalitetit dhe “depo” e tërë energjisë psikike të cilën e disponon njeriu, pra id është selia e tërë asaj që është kafshërore, iracionale dhe e pa organizuar brenda njeriut e cila nuk i njeh ligjet dhe kufizimet, por synon kënaqjen e menjëhershme të instinkteve pa marrë parasysh çmimin. Kur vjen deri tek realizimi, atëherë në personalitetin e tillë zvogëlohet tensioni dhe vjen shtensionimi dhe çlirimi.
EGO përbëhet nga një aftësi e ndërgjegjshme për të perceptuar dhe për tu marrë me realitetin në mënyrë inteligjente. Ajo vepron si ndërmjetës midis idit(duke i larguar dëshirat për kënaqësi të menjëhershme) dhe superegos(duke pranuar se disa nga forcat penguese të saj nuk janë racionale). Ego vepron në bazën e parimit të realitetit,dhe përpiqet të gjej mënyra të pranueshme nga shoqëria (sipas superegos) për të kënaqur idin. Në personalitetin e një personi të përshtatur mirë,ego është forca dominante. Ego është organ ekzekutiv i personalitetit, koordinator kryesor i personalitetit.
SUPER-EGO është pjesë e personalitetit e cila zhvillohet më vonë nën ndikimin e mjedisit social me të cilin jeton individi. Super ego është përfaqësues i brendshëm i shoqërisë apo “ndërgjegjja e njeriut” e ngulitur në personalitetin e tij dhe e zhvilluar nën ndikimin e shpërblimeve dhe dënimeve, varësisht prej sjelljeve. Ndërgjegjja pra e ka funksionin ndëshkues në rast të mos përshtatjes së veprimeve apo sjelljeve, duke zgjuar kështu ndjenjën e fajësisë dhe të vetë akuzimit, kurse aspekti tjetër konstruktivë – super ego rrjedh nga aktivitetet e dëshiruara shoqërore: zelli, produktiviteti, suksesi, etj.
Këto tri elemente përcaktojnë personalitetin, duke përshkruar gjendjet e njerëzve. Sipas psikologëve me gjithashtu personalitet kuptojmë aspektet disi më të pandryshueshme të sjelljes së një personi sesa veprimet e rastësishme jokarakterstike. Çka do të thotë kjo? Nëse një person i qetë dhe i sjellshëm shan në publik nuk duhet gjykuar atë menjëherë në bazë të personalitetit, sepse nuk është diçka që e përshkruan atë në përgjithësi, ajo që e përcakton atë janë sjelljet e tij kur ai vepron në situata kur është vetëm, sjelljet e tij të shpeshta qoftë jo arrogante duhet shikuar për ta kuptuar personalitetin e tij.