Në gjeopolitikën e munguar të shqiptarëve, ka më tepër folklor dhe patetizëm, se sa veprime konkrete, si nga politika ashtu edhe nga institucionet kulturore, arsimore e shkencore.
Emin AZEMI
Këtë javë pati një dyndje liderësh shqiptarë në kryeqytet tona dhe çdo kronist që do të orvatej të sistemojë përshtypjet, nuk do të gjejë një fjali përmbledhëse për të shprehë tanësinë e problemit. Nga Prishtinë gati gjithë spektri politik shkoi në Tiranë në takime gjithpërfshirëse, ku nuk mungonin edhe figurat mikëpritëse historike të demokracisë shqiptare. Malli për të pa njëri tjetrin në rrethana të reja, ishte më i madh se pakujdesia e deklaratave të thëna në të kaluarën për njëri tjetrin. Në Shkup na erdhi Hashim Thaçi. Si President i Kosovës, ai u bë bashkë me Zaevin në apelin drejtuar shqiptarëve që helbete të mos e shmangin referendumin e 30 shtatorit. Thaçi ka shumë qejf të imponohet si lider i madh, por e ka një problem të vogël. Atë si të tillë nuk e perceptojnë në Kosovë. Kështu e kanë liderët që kanë pretendime për tu dukur të mëdhenjë. Hasim Thaçi si një politikan që doli nga revolucioni, nuk do të pushojë së menduari për gjerësinë e kornizave ku duhet të futet potreti i tij historik. Të dalësh nga revolucioni dhe të futesh nëpër korniza nuk është edhe bash punë e lehtë. Zakonisht të gjithë ata që kanë ëndërruar të hyjnë para kohe në histori, kanë pasur problem me “marangozët” e mëvonshëm që punën e kornizave e kanë pasur hobi, kurse profesioni i tyrë i vërtetë gjithmonë është mbajtur fshehtë. A po e krijojmë një gjeopolitikë shqiptare në rajon, apo po improvizojmë takime politikanësh pa ndonjë synim të mirëfillt, për sot dhe në të ardhmen? Tirana e Prishtina nuk janë për t’mos u përfillur kur është në pyetje pesha që kanë ato në projektimin e interesave të përbashkëta në rajon. Në të kaluarën jo të largët u mbajtën disa mbledhje qeverish të përbashkëta, me protokolle mjaft ambicioze që pritej të sillnin balance të arriturash në fushat e ekonomisë e financave, të tregëtisë e kulturës. Por, në realitet çka ndodhi? Përpos lëvizjeve individuale që po i bëjnë njerëzit, si në fushën e biznesit ashtu edhe të kulturës, nuk pati ndonjë efekt më të madh nga këto mbledhje të përbashkëta qeveritare. Patatet dhe mielli i Kosovës ende patën peripeti për të depërtuar në tregun e Shqipërisë, ndërkohë që mallrat serbe patën një “vërshim” të pa parë në marketet e kosovarëve. Shqiptarët në Maqedoni, në Luginë të Preshevës dhe në Malësi ende kanë një perceptim nostalgjik për Tiranë dhe Prishtinën. Po të ishte ndryshe, gjërat do të funksionin me parametra të tjerë. Në gjeopolitikën e munguar të shqiptarëve, ka më tepër folklor dhe patetizëm, se sa veprime konkrete, si nga politika ashtu edhe nga institucionet kulturore, arsimore e shkencore. Në Maqedoni nxënësit shqiptarë ende historinë e mësojnë prej “çitankave” të mbushura me budallallëqe autorësh të pensionuar, kurse në Luginë të Preshvës abetaret nuk mund të vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, sepse Beogradi ende mendon se alfabeti ka plumba. Liderët shqiptarë munden sa here të donë të enden poshtë e përpjetë (siç do të thoshte Demaçi i ndjerë), por ata nuk munden të na e shesin këtë vajtje-ardhje si pjesë e ndonjë strategjie kombëtare, për të cilën kemi shumë nevojë. Apo ndoshta, edhe strategjitnë tonë kombëtare ua kemi lënë diplomatëve të huaj!