Shkup, 16 mars – Vendimi skandaloz i Prokurorisë dhe gjykatës së Kumanovës, që vepra penale “vrasje” në rastin e Almir Aliut, të rikualifkohet në vepër penale “aksident i rëndë me pasojë vdekje” na ka tmerruar. Kështu nis reagimi i shoqatës joqeveritare “Civil”, sipas të cilës, vendim i prokurorive të Maqedonisë paraqet një absurditet në vete dhe reflekton një nivel nënçmues të rezonimit dhe veprimit të një sistemi gjyqësor, i cili haptazi është futur në një praktikë të papranueshme.
“Gjykata e Kumanovës, më datë 15 mars edhe njëherë e vërtetoi faktin se drejtësia në Maqedoni është selektive dhe e njëanshme. Skandali dhe skenari i turpshëm në rastin e Almir Aliut, e sqaron më mirë këtë situatë”, thuhet në reagimin e shoqatës “Civil”. Në këtë drejtim, “Civil” kërkon rishqyrtimin e plotë të këtij procesi gjyqësor. Po ashtu, ata kërkojnë që rasti i vrasjes së vogëlushit Almir Aliu të ndahet nga rasti i përleshjes fizike në mes të gjithë palëve, që doemos duhet të sanksionohen.
“Shumë më i turpshëm është vendimi i Gjykatës së Kumanovës, i cili ndërlidhet me sjelljen e të akuzuarit Boban Iliq dhe vëllait të tij brenda dhe jashtë sallës së gjykatës. Ky mos respekt ndaj Gjykatës ndaj familjes së Almirit, por edhe ndaj të gjithë opinionit, edhe më tepër do të kontribuoj për rritjen e dëshpërimit, revoltës dhe rritjes së mos besueshmërisë në institucionet e drejtësisë në vend”, thonë nga Civili.
Njëkohësisht, “Civil” ashpër e dënon edhe sulmin ndaj gazetarit të “TV21”, dhe kërcënimet që u drejtuan ndaj tij. “Përgjigja se ‘A dëshiron menjëherë të në burg?’, nuk mund të kuptohet ndryshe, përveç si një kërcënim ndaj jetës së gazetarit dhe e njëjtat duhet dënohet dhe sanksionohet. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike, urgjentisht të reagojnë ndaj këtyre kërcënimeve”, thuhet në fund të reagimit. (koha.mk)