City rikthehet te fitorja, mposht me përmbysje Chelsean

Manchester City u rikthye te fitorja në kampionatin anglez dhe e bëri këtë në ndeshjen më të fortë të javës së 13’, ndaj Chelseat, të cilin e mposhti me rezultatin 2-1, në “Etihad Stadium”, në një takim që kënaqi pritshmëritë e tifozëve.

Kampionët në fuqi vinin pas humbjes në “Anfield Road” ndaj rivalit direkt për titullin, Liverpoolit dhe fitorja ishte një detyrim, për të mos u shkëputur nga “The reds”, por starti nuk ishte aspak ai i duhuri për djemtë e Guardiolës.

Kjo pasi Chelsea e Lampard zhbllokoi sfidën në minutën e 21-të me anë të mesfushorit N’golo Cante, që shënoi pas një pasimi të marrë nga kroati Mateo Kovacic, duke bërë që në “Etihad Stadium”, të bjerë heshtja.

Advertisements

Megjithatë vetëm 8 minuta më vonë ishte fantazisti belg Kevin De Bruyne që riktheu baraspeshën, ndërsa në të 37-ën, Rijad Mahrez shënoi golin e avantazhit për “Citizens”, që arritën të marrin kontrollin e lojës.

Deri në fund të dy skuadrat patën mundësi të shumta shënimi, ndërsa City arriti të dërgojë topin në rrjetë me anë të Sterling, por goli u anulua nga Atkinson, pasi konstatoi një pozicion jashtë loje, duke përdorur ndihmën e VAR-it.

Ky 3-pikësh ngjit Manchester Cityn në vendin e tretë në kuotën e 28 pikëve, një më pak se Leicester i vendit të dytë dhe 9 më pak se Liverpool kryesues, por dy më tepër se Chelsea që mbyll renditjen në zonën Champions.