Pse rrezikon të dënohet Manchester City nga UEFA dhe mbi cilat fakte të publikuara në media bazohet hetimi? Zanafilla është nga publikimet e Football Leaks, platformës pirate që ka vjedhur miliona e-maile dhe i ka publikuar pak nga pak ndër vite, duke demaskuar gjithë sekretet e pista të botës së futbollit.
Më poshtë po publikojmë një raport nga Mediapart, grupi mediatik që ka marrë përsipër publikimin e dosjeve të Football Leaks.
“Në mesnatë, në 2 maj 2014, Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino, i dërgonte një e-mail presidentit të Manchester Cityt, Khaldoon Al Mubarak. “Ju kërkoj falje që po ju shkruaj kaq vonë në një të premte në mbrëmje. Faleminderit që keni besim tek unë. Mund të keni besim tek unë”.
Toni i mesazhit të Infantinos është befasues, duke qenë se në të njëjtën ditë një hetim ndaj Manchester Cityt arrinte në përfundimin se Sheiku Mansour nga Abu Dhabi, pronar i klubit, kishte mbështetur fuqimisht financiarisht klubin, duke shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë rregulloret e Fair Play Financiar. Për pasojë, City duhej të ishte përjashtuar nga Champions League.
Megjithatë, Infantino shkruante në të njëjtin e-mail: “Natyrisht, kjo duhet të mbetet mes ne të treve”. Kush është personi i tretë? Askush tjetër veçse presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy.
Sarkozy, tifoz i famshëm i PSG-së dhe mik i Katarit, në një drekë më 23 nëntor 2010 mendohet se i bëri një ftesë miqësore presidentit të UEFA-s në atë kohë, Michel Platini, që të votonte për Katarin si vend organizator për Botërorin 2022.
Megjithatë, ajo që nuk dihej deri më sot ishte se Sarkozy, në mënyrë sekrete, ndihmoi edhe rivalët e mëdhenj të Katarit, sheikët nga Abu Dhabi, për t’i shpëtuar dënimit të UEFA-s. Dokumentet e reja, zbuluar nga Football Leaks, janë marrë dhe publikuar nga gjermania Der Spiegel, që së bashku me Mediapart ka tronditur botën e futbollit dhe ka detyruar UEFA-n të rihapë hetimet ndaj Cityt.
Çfarë bëri Sarkozy? Ish-presidenti francez ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të fortë me familjet që drejtojnë Emiratet e Bashkuara Arabe. Jo thjesht sport, por politikë, baza ushtarake, fonde investimesh e të tjera manovra financiare, shumë të errëta.
Kur UEFA nisi hetim ndaj City-t, Al Mubarak i kërkoi ndihmë Sarkozysë, diçka e çuditshme, duke qenë se ish-presidenti nuk është as ekspert futbolli dhe as ekspert financash.
Manchester City ishte i zhytur deri në fyt, pronarët nga Abu Dhabi kishin futur në arkat e klubit 2.7 miliardë euro në 7 vite, me kontrata sponsorizimi false e manovra të tjera financiare, duke kaluar edhe sheikët e Katarit, që kishin bërë namin te PSG, duke futur 1.8 miliardë euro në arkat e klubit francez. Pikërisht për të ndaluar gjëra të tilla, në vitin 2010 Fair Play Financiar ndaloi financimet e pronarëve multimilarderë.
Gianni Infantino i zbuloi shkeljet e Man Cityt në 2016, por vendosi të bënte marrëveshje me Cityn, pa e përfshirë fare Dhomën Hetuese të UEFA-s.
Që në maj 2013 Manchester City e dinte se ishte në telashe me Fair Play Financiar, sepse kishte regjistruar 451 milionë euro humbje në periudhën 2009-2011. Pas një kontrolli të llogarive të klubit, u zbuluan parregullsitë dhe Manchester City doli me një deklaratë të fortë, ku akuzonte se hetimi ishte i njëanshëm dhe plot gabime.
Në mars 2014 këshilltari ligjor i klubit i shkruante Cityt se duhej gjetur një marrëveshje me Dhomën Hetuese të UEFA-s, për të evituar luftën totale. Ndërkohë, UEFA e kishte kuptuar se kontratat e sponsorizimit me 4 kompani nga Abu Dhabi ishin thjesht mashtrim me shifra jashtë çdo logjike, përfshirë kontratën prej 78 milionë eurosh në vit me Etihad. Nga thuajse 150 milionë euro që çonin në arkat e Cityt, ato kontrata vlen e shumta 70 milionë euro.
Në maj 2014 presidenti i Dhomës Hetuese të CFCB rekomandoi që Manchester City të dënohej, duke u përjashtuar nga Champions League, por për shumë javë Gianni Infantino u mundua të bënte një marrëveshje. Avokatët e City dhe UEFA u takuan dhe Man Cityt iu kërkua që ta caktonte vetë dënimin, sipas asaj që zbulohet nga komunikimi mes drejtuesve të klubit anglez.
Megjithatë, Sheiku Mansour nuk pranonte kompromis dhe kërkonte të ushtronte presion maksimal ndaj UEFA-s, për të mos paguar fare 60 milionë eurot gjobë që UEFA propozonte.
Një drejtues i klubit shkruante në një mail konfidencial: “Khaldoon tha se do preferonte t’u jepte 30 milionë euro 50 avokatëve më të mirë në botë dhe ta padiste UEFA-n për 10 vjet”.
Në 2 maj 2014 ishte dita kur do të publikohej lista me 9 klube që kishin shkelur rregulloren e Fair Play Financiar, një mënyrë për të treguar se rregullorja ekzistonte dhe funksiononte. Mbrëmjen e 2 majit të gjitha klubet firmosën marrëveshjet me UEFA-n, përveç Manchester Cityt. Po atë mbrëmje Infantino dërgoi një e-mail për Al Mubarak dhe Sarkozy, ku propozohej një lëshim i fundit: gjoba zbriste në 20 milionë euro, ndërsa 40 milionë do paguheshin vetëm nëse Man City e shkelte sërish rregulloren. “E shihni vetë që unë ndonjëherë mbaj qëndrime që duken tepër të fortë. Lexojeni dokumentin, le të jemi pozitivë!”.
Megjithatë, Dhoma Hetuese e CFCB nuk e pranoi marrëveshjen e re dhe avokati i Man Cityt, Simon Cliff, shkoi deri aty sa të kërcënonte me gjyq UEFA-n, Platininë dhe Infantinon, për ndërhyrje, abuzim pushteti dhe konflikt interesi.
Më pas, shifrat e gjobës së Cityt dolën në media dhe kjo gjë acaroi pa masë pronarët e PSG-së, me tensionin mes Abu Dhabit dhe Katarit që u përshkallëzua. Jean-Claude Blanc, drejtor i përgjithshëm i PSG-së, iu ankua direkt Michel Platinisë. Ky i fundit u betua se gjoba për PSG nuk do ishte më e madhe se për Man Cityn, por ndërkohë i tha të kundërtën Patrick Vieirasë në një e-mail: “Thuaji pronarëve të tu nga Abu Dhabi që të kenë besim tek unë, gjoba e tyre do të jetë shumë më e vogël se ajo për PSG”.
Më 16 maj, pak orë para firmës në marrëveshje, PSG-së iu ul gjoba, nga 60 milionë në 20 milionë euro. Këto shifra, qartësisht, nuk u shkaktonin asnjë dëm financiar PSG-së dhe Man Cityt.
Që prej marrëveshjes së famshme me UEFA-n në 2014, Man City ka shpenzuar 700 milionë euro për të blerë lojtarë të rinj. Falë ndihmës së Infantinos, Manchester City ia doli të mundte trupën prej 7 hetuesish të Dhomës së Hetimeve në CFCB. Në një e-mail të vitit 2014 avokati i Cityt Simon Cliff shkruan në lidhje me vdekjen e ish-kryeministrit belg Jean-Luc Dehaene, i cili kryesonte Dhomën e Hetimeve deri në fillim të vitit 2014. “Një ra, mbeten edhe 6”, shkruhet në e-mailin e zyrtarit të plotfuqishëm të Man Cityt.